Nishani dhe Çiçek flasin për pavarësinë e Kosovës

Kryetari i Parlamentit të Republikës së Turqisë, Cemil Çiçek është pritur sot nga Presidenti Bujar Nishani, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri.
Gjatë takimit, Nishani vlerësoi ndjenjat vëllazërore që ekzistojnë mes dy popujve, si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve.

Duke u ndalur në marrëdhëniet dypalëshe, kreu i shtetit, riafirmoi vullnetin politik të shtetit shqiptar për t’i intensifikuar edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve, me synim krijimin e një dimension të ri të bashkëpunimit ekonomik.

Nishani vlerësoi nivelin shumë të mirë të shkëmbimeve tregtare dhe të investimeve turke në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare dhe u shpreh se ende ka hapësira të pashfrytëzuara në potencialeve ekonomike të të dy vendeve.

Duke u ndalur në sektorin energjetik, Nishani, vlerësoi mbështetjen e Turqisë në projektin e gazsjellësit TAP, dhe kërkoi që kjo gjë të vijojë edhe me projektin tjetër rajonal IAP, me synim lidhjen e projektit me vende të tjera të rajonit.

Një vëmendje të veçantë, Kreu i Shtetit, i kushtoi bashkëpunimit rajonal dhe duke shprehur falënderimin për kontributin e Turqisë për paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Nishani vlerësoi se pavarësia e Kosovës, me mbështetjen edhe të Turqisë i ka kontribuar këtij stabiliteti.

“Sot kemi një rajon më bashkëpunues se kurrë më parë dhe me vizion euroatlantik”, u shpreh Presidenti Nishani.

Çiçek, deklaroi se Shqipëria konsiderohet nga Turqia si një mik i veçantë, dhe theksoi se nga ky këndvështrim, marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve janë të një niveli të lartë në kuadër të partneritetit në NATO.

Pasi përgëzoi për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria , ai u shpreh se Turqia e mbështet fort aspiratën e vendit tonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Çiçek vuri në dukje gjithashtu se, marrëdhëniet turko-shqiptare janë shumë të rëndësishme për paqen dhe qetësinë në Ballkan dhe shembulli më konkret në këtë drejtim është Kosova, e cila me pavarësinë e saj ka provuar se rajoni ynë tashmë ka fituar më tepër paqe dhe stabilitet.

Lajme të ngjashme

Back to top button