Lulzim Basha foli si kryetar i ri i PD-së

Kryetari i ri i Partisë Demokratike Lulzim Basha në deklaratën e parë për media pas marrjes së kësaj detyre falenderoi anëtarësinë për zgjedhjen, ndërsa premtoi se në punën e tij do të mbështetet tek vizioni, kurajo, qëndresa historike e Azem Hajdarit dhe e qëndrestarëve të tjerë, si dhe tek vlerat e Sali Berishës. 

“Partia Demokratike do të dëgjojë dhe do të respektojë zërin dhe kontributin e cdo anëtari të saj. Në përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri unë do të jap gjithcka me përgjegjësinë më të lartë ndaj anëtarëve dhe militantëve të PD-së”, tha Basha.

Kreu i PD-së premtoi se do të angazhohet maksimalisht që kjo forcë politike, të vazhdojë, sic tha ai, të jetë forca e ëndrrave dhe shpresave të shqiptarëve.

“Detyrat që na presin nuk janë të lehta, sfidat janë të mëdha, por gjatë gjithë rrugës tonë kemi treguar se sa herë kemi qenë të vendosur ia kemi arritur”, tha Basha.

Berisha: Basha, historia jonë e suksesit  

Ish-kryetari i PD-se, Sali Berisha, ne nje konference per media deklaroi se Basha është historia e vërtetë të suksesit të Partisë Demokratike. Berisha, ndërsa bëri një CV të Bashës, vlerësoi arritjet e kreut të ri të PD, në kohën e funksioneve të ndryshme politike që ai ka patur dhe ka në politikë.

“Uroj zyrtarisht kryetarin e ri të PD. Basha përmbushi me sukses cdo detyrë që iu ngarkua. Votimi dhe zgjedhja e Bashës në krye të PD-së, mund të vlerësohet si një fillim i shkëlqyer i një fillimi të ri”, tha Berisha.

Sipas tij, pavarësisht rezultatit të 23 qershorit, demokratët mbeten të pathyeshëm, e për këtë arsye Berisha vlerësoi të gjithë anëtarësinë.

“Pavarësisht se një pjesë e anëtarësisë nuk votoi për shkaqe burokratike, familjare, personale procesi i votimit ishte shumë i mirë”, tha Berisha. /Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button