Shkup, “Filipi i padukshëm“ i Fikom la qindra familje pa banesat që i paguan

Shkupi ka një objekt fantazmë. Të paktën ashtu e trajtojnë gjykatësit vendas objektin e paraparë për qëllime banimi dhe afariste me emrin “Filipi”, një nga objektet që kanë të bëjnë me aferën më të madhe të fushës së ndërtimit në Maqedoni, “Fikom”, e cila sipas vlerësimeve jozyrtare kushton mbi 12 milionë euro dhe dëmtoi qindra familje që mbetën pa banesat që i paguan, shkruan BIRN.

Secili që ka kaluar afër ish fabrikës “Treska”, në qendër të Shkupit, është bindur se atje ka një objekt, i cili lë përshtypjen se është në fazën e fundit të ndërtimit. Tashmë janë ndërtuar të gjitha katet e objektit, çdo kat ka ballkon, dritaret janë kompletuar me xhama. Mungon vetëm fasada e objektit. Edhe vetë gjykata ka konstatuar se janë ndërtuar të gjitha katet e objektit dhe kulmi i tij, janë kompletuar të gjitha punimet e betonit dhe punimet muratore, me përjashtim të podrumit dhe katit të përdhesës. Gjithashtu është e qartë se dikush “e mbron” objektin për arsye se ai është rrethuar me llamarinë, ndërsa hyrja e tij është mbyllur me një dry që pengon hyrjen në objekt.

Opinioni di shumë pak se për dallim nga objektet e tjera që u përfshinë me aferën Fikom, me të cilën një banesë u shit më shumë herë, objekti me emrin “Filipi” nuk është një rast i ngjashëm. Banesat e këtij objekti nuk janë shitur dy ose më shumë herë. Megjithatë, dhjetëra pronarë të mashtruar të këtij objekti për tetë vjet me radhë kërkojnë të realizojnë të drejtën e tyre pronësore dhe të fitojnë banesat që i kanë paguar dhe për të cilat posedojnë dokumentacionin e nevojshëm. Në fakt realizimin e të drejtave të tyre për momentin e pengojnë vendimet e gjykatave vendase.

Drejtësia nuk mund të vijë në asnjë mënyrë në vendin e duhur për personat që bredhin gjykatave me vite, duke shpresuar se një ditë gjykatat do të vendosin të marrin anën e tyre. Ato pyesin nëse funksionon sistemi i drejtësisë, duke ditur që personat që janë pajisur me dokumentacione të plota legale për banesat e blera nuk mund të realizojnë të drejtën e pronësisë mbi banesat në fjalë. Kush do t’i fitojë objektet e FIKOM, të cilat sipas gjykatave vendase nuk ekzistojnë, megjithëse të gjithë ne i shikojmë këto objekte?

Dragica Petrushevska është një nga ato të cilët para dhjetë vitesh investuan të hollat e tyre për ndërtimin e objektit “Filipi”, e cila sot mezi arrin të mbijetojë. Siç thotë ajo, jeta e saj u ndryshua plotësisht pas pagimit të 38 mijë eurove në llogarinë e firmës FIKOM, për të blerë një banesë me një sipërfaqe prej 57 metra katrore.

„Kalova një periudhë shumë të vështirë. Në vend që të gëzohesha dhe për gjashtë muaj të akomodoheshim në banesën e re, jeta jonë morri një kahje plotësisht të kundërt, që rezultoi me shthurjen e familjes”, thotë Petrushevska.

Jo vetëm që mbeti pa para, sot ose pas zbulimit të aferës ndërtimore, ajo nuk ka as banesë për të jetuar. Siç thotë ajo, nga stresi i madh që e përjetoi kur u informua lidhur me mashtrimin u sëmur nga kanceri i gjirit, mbeti pa punë, ndërsa për momentin, megjithëse nuk duhet të lodhet shumë, ajo pastron banesa dhe zyra të ndryshme për të mbijetuar.

Vuajtjeve të saj nuk u erdhi fundi me arrestimin e Nikolla Nikoliqit, pronarit të FIKOM, i cili u dënua me dhjetë vjet burg lidhur me aferën me emrin FIKOM. Gjithçka mbaroi me arrestimin e Nikolla Nikoliqit për arsye se shteti nuk përmbushi detyrimet e tij ndaj qytetarëve, të cilët nuk i fituan banesat e tyre dhe nuk u zhdëmtuan. Të humbur në labirintet e gjykatave, viktimat e mafjes së ndërtimit, siç është edhe vetë Petrushevska, me vite nuk janë në gjendje të realizojnë të drejtën e tyre të pronësisë mbi banesat. Për këtë arsye Petrushevska është dëshpëruar nga shteti dhe institucionet vendase, për të cilat ajo thotë se nuk i mbrojtën qytetarët nga afera që prishi shumë e shumë familje.

„Për fat të keq me qëndrimin nëpër gjykatat ne mësuam shumë gjëra. Mësuam se në rastin tonë, me vetë faktin që nuk u ndërmor asgjë për një numër kaq të madh qytetarësh, janë përzier njerëz shumë të fuqishëm, por edhe individë të institucioneve të ndryshme. Të ishte e kundërta, rasti ynë deri më sot do ishte zgjidhur. Personat e fuqishëm për të cilët flasim kanë ndikim të madh edhe mbi vendimet e gjykatave”, sqaroi Petrushevska.

Ajo, bashkë me dhjetëra qytetarë të tjerë, pagoi paratë e banesës së re në objektin “Filipi” në kohën kur ai ishte në fazën e ndërtimit. Megjithëse Petrushevska dhe të tjerët morrën pjesë me mjete financiaren në ndërtimin e objektit, ato sot nuk mund të fitojnë asnjë nga banesat e objektit në fjalë. Në rrethana të tilla, të dëmtuarit kanë paditur firmën FIKOM, bankën Eurostandard dhe pronarët e truallit mbi të cilin u ndërtua objekti. Ndërkaq, një pjesë të objektit kërkojnë edhe pronarët e truallit të cilët nuk ju përgjigjën përpjekjeve tona për të marr një përgjigje konkrete, përpjekje këto të cilat ne i bëmë nëpërmjet avokatit të tyre.

Nuk njihen kontratat e bashkimit të mjeteve

Banuesit e objektit me emrin “Filipi” kanë kontrata për bashkimin e mjeteve për ndërtimin e sipërfaqeve të banimi, mandat pagesa që vërtetojnë pagimin e parave me të cilat kanë blerë banesat dhe vërtetime të lëshuara nga ana e kompanisë FIKOM, që vërtetojnë pagimin e parave të banesave përkatëse.

Megjithatë gjykata nuk ua pranon këto kontrata sepse sipas saj e drejta e pronësisë mbi një objekt të ndërtuar nuk mund të kërkohet deri në momentin e transferimit të të drejtës së pronësisë së investitorit dhe regjistrimit të saj në kadastrën e pasurive të paluajtshme.

Sipas ekspertëve të fushës së ndërtimit, kontratat e bashkimit të mjeteve funksionojnë edhe sot e kësaj dite. Nikolla Vellkovski, kryetari i Shoqatës së ndërtimit, industrisë së materialeve të ndërtimit dhe jometaleve, pranë Dhomës ekonomike të Maqedonisë, thotë se për sa i përket rregullativës së ndërtimit askush nuk mund të kontestojë të drejtën e bashkimit të mjeteve, me argumentin se objekti nuk ka fletë pronësie.

„Nuk është me rëndësi nëse janë regjistruar në kadastër ose jo. Edhe sikur të mos jenë regjistruar, në një rast të tillë ato duhet t’ua japin të drejtën e parave. Në rast se nuk ua njohin sipërfaqet përkatëse, ato duhet t’ua njohin paratë e paguara. Pra duhet të pranojnë pagimin e parave për arsye se posedojnë dokumentet përkatëse për këtë gjë“, thotë Vellkovski.

Ndërkaq krijohet përshtypja se Agjencia e kadastrës së pasurive të paluajtshme hedh topin në gjykatë.

„Regjistrimi në kadastrën e pasurive të paluajtshme mund të bëhet në mbështetje të ligjit, me një aktgjykim gjyqësor të formës së prerë, me një aktvendim për një masë të përkohshme, me një masë paraprake dhe me akte të tjera për sigurimin e kërkesave, në përputhje me ligjin, me aktvendime të qeverisë së Maqedonisë, me akte definitive ose të formës së prerë të organeve shtetërore, organeve të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe qytetit të Shkupit, me vepra ligjore dhe deklarata të vërtetuara në noter, në mbështetje të të cilave mund të bëhet regjistrimi i të drejtave të pronësisë, akte këto që janë paraparë në mënyrë obligative me këtë ligj ose me një ligj tjetër. Në rastet e mosplotësimit të kushteve të mësipërme pasuria e paluajtshme nuk mund të regjistrohet në Kadastrën e pasurive të paluajtshme”, thuhet në përgjigjen që e fituam nga ana e Kadastrës, pas kërkesës së parashtruar për qasje të lirë në informatat me karakter publik, me të cilën ne pyetëm përse objekti me emrin “Filipi” nuk është regjistruar në Kadastrën e pasurive të paluajtshme dhe a është paraparë regjistrimi i tij në një të ardhme të afërt.

Akuza për hipoteka fiktive

Vërtetimin e pronësisë së objektit me emrin “Filipi” e komplikon akoma më shumë edhe përfshirja në kontestin përkatës e bankës Eurostandard. Pronari i FIKOM, Nikoliqi, ka vendosur hipotekë mbi objektin para ndërtimit të tij dhe për këtë arsye sot banka kërkon arkëtimin e hipotekës. Në këtë kontekst, Drejtoria e ekzekutimit të sanksioneve nuk iu përgjigj kërkesës sonë për të takuar Nikoliqin në ambientet e burgut të Shtipit.

„Për një kredi banka do t’u kërkojë treqind dokumente. Si është e mundur që banka Eurostandard pa nënshkrimet tona dhe për banesat e paguara me paratë tona t’i jap hipotekë Nikoliqit”, pyet Lena Avramovska, e cila sqaron se Nikoliqit i ka paguar pesëmbëdhjetë mijë euro për një banesë në objektin me emrin “Filipi”.

Avramovska, e cila sot punon në Kuvendin e Qytetit të Shkupit, sqaron se Nikoliqi asnjëherë nuk i ka pyetur lidhur me vendosjen e një hipoteke mbi objektin në fjalë dhe se nuk ekziston asnjë dokument me nënshkrimet e tyre që mund të vërtetojë lejen e dhënë nga ana e tyre lidhur me hipotekën.

Sipas personave që kanë blerë banesa në objektin “Filipi”, banka Eurostandard nuk ka të drejtë pronësie mbi objektin dhe për këtë arsye ato me një shkresë drejtuar Këshillit gjyqësorë kërkojë pezullimin e kontratave të hipotekës që janë lidhur midis bankës Eurostandard dhe pronarëve të parcelave mbi të cilat është ndërtuar objekti me emrin “Filipi”.

„Ne vlerësojmë se këto kontrata janë fiktive dhe se janë lidhur jashtë normave ligjore për arsye se kërkesat e bankës janë shlyer me kërkesat e firmës FIKOM, që nuk lejohet me rregullativën ligjore përkatëse. Paratë nuk i janë paguar firmës FIKOM, ndërsa e gjithë kjo është bërë që dikush të përfitojë nga situata. Lidhur me këtë çështje ekzistojnë dokumentet e nevojshme, por gjykatat nuk i morën parasysh të njëjtat dhe morën vendime në favor të bankës Eurostandard”, thuhet në ankesën që e fituam nga qytetarët e dëmtuar.

Personat që kanë blerë banesa në objektin me emrin “Filipi” gjithashtu vënë në pikëpyetje edhe funksionimin e gjykatave. Në ankesën në fjalë thuhet se është indikative që lidhur me aktgjykimet e Gjykatës së shkallës së parë në Gjykatën e Apelit ka vendosur po i njëjti trup gjykues, me në krye gjykatësen Sllavica Popçveska. Për këtë arsye ato kanë kërkuar të analizohet puna e gjykatësve përkatës, sidomos paanësia e tyre.

Lidhur me parashtresën e tyre personat e prekur me rastin konkret fituan një njoftim nga Këshilli gjyqësor, i cili i njoftoi se rasti i tyre është në fazën e përgatitjes për t’u dërguar në Gjykatën supreme, e cila do të vlerësojë vendimet e kontestuara dhe nëse janë bërë gabime gjatë procedurës.

Disa ditë para publikimit të kësaj analize, personat e mashtruar pranuan një njoftim lidhur me aktgjykimin e marrë në instancën e fundit të pushtetit gjyqësor, në Gjykatën supreme të Republikës së Maqedonisë, e cila gjithashtu nuk mori një aktvendim në favor të tyre dhe vlerësoi se gjykatat e niveleve më të ulëta kanë zbatuar drejt të drejtën materiale.

Sipas avokatit të personave të dëmtuar në rastin konkret, Xvonko Davidoviq, gjykatat nuk e njohin ekzistimin ligjor të ndërtesës për arsye se ajo nuk është regjistruar në kadastër, megjithëse personat e dëmtuar kanë përgatitur një ekspertizë që vërteton se objekti është ndërtuar në një masë prej 70-80%. “Nëse objekti nuk ekziston parashtrohet pyetja, si është vendosur një hipotekë mbi këtë objekt? Si është e mundur të mos ekzistojë? Hipoteka është vendosur që në fazën e ndërtimit të objektit, ndërsa Nikoliqi ka pasur një autorizim të nënshkruaj nga të gjithë pronarët. Për arsye se ai ka qenë personi që ka bërë ndërtimin, prandaj nuk ekziston një autorizim i veçantë lidhur me hipotekën. Për mendimin tim pronarët e truallit as që kanë ditur se Nikoliqi do të vendoste hipotekë mbi objektet. Është mundësuar hipotekë mbi objekte të pandërruara. Këto objekte ndërkohë u kompletuan dhe sipas të gjitha gjasave hipotekën mbetet ta realizojë banka Eurostandard, e cila sipas të gjitha gjasave do ta marr objektin”, thotë Davidoviq, duke pyetur si ka mundur të ndodh një gjë e tillë kur nuk ekziston objekti.

Për të gjitha akuzat e personave të prekur me rastin konkret, që janë përfshirë në këtë kontest, ne u drejtuam në bankën Eurostandard, por nuk fituam një përgjigje pozitive lidhur me kërkesën tonë për t’u takuar me përfaqësuesit e bankës dhe as përgjigje të pyetjeve që i dërguam me postën elektronike.

Vellkovski, një punonjës i Dhomës ekonomike, thekson se në rastet e mungesës së fletës së pronësisë lidhur me objektin, askush nuk mund të jetë pronar i objektit konkret.

“Pa fletë pronësie nuk mund të aktivizohet as hipoteka. Hipoteka mund të vendoset në bazë të një fletë pronësie. Pa fletë pronësie as pronarët e truallit nuk mund të paraqiten në cilësinë e pronarëve. Në rastin konkret një pjesë e personave kanë dhënë truallin, por nuk kanë dhënë para. Me kontratat e tyre ato kanë theksuar qartë se çfarë u takon dhe ato nuk mund të jenë pronarë për arsye se nuk kanë një dokument pronësie. Njësoj si kontrata e ndërtimit të përbashkët, sipas të cilës i takojnë tre banesa, edhe personat e tjerë kanë kontrata me të cilat është paraparë se atyre u takojnë banesat”, thotë Vellkovski.

Ish gjykatësi, Prof. Dr.Kiril Çavdar thotë se sipas Ligjit të hipotekës së kontraktuar, një hipotekë mund të vendoset vetëm mbi një pasuri të ardhshme dhe për këtë arsye duhet pritur vendimi i gjykatave.

„Për fat të keq me FIKOM u krijua një situatë e rëndë, e vështirë për çdo jurist. Për këtë arsye çështja duhet trajtuar me seriozitet dhe duhet formuar një trup ekspertësh sepse në të kundërt qytetarët nuk do t’i realizojnë të drejtat e tyre”, thotë Çavdar.

Shteti i papërgjegjshëm ndaj qytetarëve

Objekti me emrin „Filipi“ i rrethuar me llamarinë dhe i kyçur me çelësa. Foto: K.Ozimec
Objekti me emrin „Filipi“ i rrethuar me llamarinë dhe i kyçur me çelësa. Foto: K.Ozimec

Sipas Çavdar, e vetmja mënyrë që mund të mundësojë kthimin e parave të investuara është përfshirja e qytetarëve të dëmtuar në masën e falimentimit. Pas një shitje të mundshme të objektit, atyre mund t’u kthehen mjetet e investuara.

Procedura e falimentimit të Fikom administrohet nga administratorja e falimentimit, Vesna Spirkovska, të cilën ne e pyetëm lidhur me fazën në të cilën gjendet procedura që zhvillohet për objektet e banimit që ishin pjesë e aferës së ndërtimit Fikom, por ajo për të gjitha pyetjet na drejtoi në Këshillin gjyqësor. Ndërkohë, nga Këshilli gjyqësor nuk fituam përgjigje nëse qytetarët e mashtruar që kanë paguar për banesa do të kenë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim dhe nëse do të përfshihen në masën e falimentimit.

Pas refuzimit të ankesës së qytetarëve lidhur me aktgjykimin e shqiptuar nga Gjykata Themelore Shkupi 2 si të pabazë, ato u drejtuan edhe në Gjykatën e Apelit. Megjithatë, kjo e fundit vërtetoi aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, sipas të cilës objekti nuk është ndërtuar dhe nuk ka fituar leje përdorimi. Si arsye që ka të bëj me mosekzistimin ligjor të objektit me emrin “Filipi” është theksuar mosregjistrimi i objektit në Kadastrën e pasurive të paluajtshme. Pikërisht për këtë arsye objekt nuk mund të lëshohet në përdorim dhe të bëhet objekt kontraktimi.

„Duke ditur që objekti i banimit nuk është përfunduar dhe nuk është regjistruar në Kadastrën e pasurive të paluajtshme, nuk është e mundur të kërkohet ose fitohet një e drejtë sendore mbi të njëjtin, deri në momentin e regjistrimit të tij në Kadastrën e pasurive të paluajtshme, për arsye se deri në atë moment nuk mund të pranohet që objekti ekziston legalisht. Pikërisht këto arsye dhe si rezultat të ekzistimit të kontratave të bashkimit të mjeteve, që në fakt kërkohen të realizohen, nuk është e mundur të cilësohet si një vepër ligjore e lejuar, ndërsa gjykata e shkallës së parë për këto arsye refuzoi kërkesëpadinë e paditësve dhe vendosi si në dispozitivin e aktgjykimit”, thuhet në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.

Objektet Antigona 1 dhe 2 – pjesë e aferës FIKOM. Foto: K.Ozimec
Objektet Antigona 1 dhe 2 – pjesë e aferës FIKOM. Foto: K.Ozimec

Sipas avokatit Davidoviq, personat e dëmtuar janë shumë të revoltuar që institucionet nuk i mbrojtën të drejtat e tyre, megjithëse firma Fikom ka funksionuar ligjërisht dhe u pajis me leje ndërtimi.

„Nëse vetë shteti merr paratë që paguhen në formën e taksës komunale, nëse po ai drejton regjistrin qendror dhe lëshon lejen që dikush të funksionojë në sistemin ligjor, për mendimin tim po ky shtet duhet të mbajë përgjegjësi një një diçka konkrete. Këto persona kanë paguar para. Është fakt që banesat janë lëshuar në përdorim në mënyrë legale, firma ka ekzistuar, taksat komunale janë paguar dhe gjithçka ka qenë legale. Dhe menjëherë ndodh që askush të mos qëndrojë pas kësaj, askush nuk është fajtor, askush nuk mban përgjegjësi. Paratë që i paguan këto persona u zhdukën dhe këtu përfundon gjithçka”, thotë Davidoviq.

Objekti me emrin “Filipi” nuk është rasti i vetëm që ka përfunduar në labirintet gjyqësore. Në një situatë të ngjashme gjenden edhe objektet e quajtura “Antigona 1” dhe “Antigona 2”, objekt këto që gjithashtu janë pjesë e aferës Fikom. Njësoj si në rasti e objektit me emrin “Filipi”, për këto objekte janë nënshkruar kontrata hipotekare me bankën Eurostandard. Gjithashtu, edhe personat që jetojnë në këto objekte kanë nisur procese gjyqësore dhe janë në pritje të epilogut të tyre.

Lorija Vanevska, e cila u mashtrua me 46 mijë euro me objektin Antigona 1 dhe sot është përfaqësuese ligjore e qytetarëve të mashtruar me objektin në fjalë, sqaron se viteve kur janë nënshkruar kontratat me firmën Fikom nuk ka pasur rregulla ligjore në mbështetje të të cilave investitori do të paraqiste ndërtimin e një objekti dhe shitjen e banesave në fazën e ndërtimit.

„Lagjet e Aerodrmit, Karposhit dhe Lisiçes janë ndërtuar me të njëjtin parim. Bëhet mbledhja e mjeteve, pra ju paguani paratë, tjetri bën ndërtimin dhe në fund bëhet transferimi i pronësisë dhe kontrata e shitblerjes. Nuk është e mundur që gjykata personave të dëmtuar të mos u kthejë as paratë as t’u njoh të drejtët e pronësisë së banesave Në fakt i bie që këto persona të kenë ndihmuar Bankën Eurostandard për të fituar ndërtesat. Është një gjë e paparë. Bile në sallën e gjykatës kishte edhe presione. Këtyre personave u thonin hiqni dorë, nuk keni shanse për të fituar”, thotë Vanevska.

Sipas vlerësimeve jozyrtare, afera Fikom ka kushtuar mbi 12 milionë euro dhe me të u dëmtuan qindra familje, të cilave pronarët e Fikom, Nikolla Nikoliqi dhe bashkëshortja e tij Vesna Nikoliqi ua shitën banesat. Një pjesë e personave të mashtruar ndërkohë ndërruan jetë, në pritje të drejtësisë, ndërsa pjesa tjetër tashmë ka probleme shëndetësore serioze. Bashkëshortët Nikoliq në vitin 2007 u dënuan me nga dhjetë vjet heqje lirie për kryerjen e veprës penale mashtrim, ndërsa sot janë nga fundi i vuajtjes së dënimeve.

Ndërkohë Dragica Petrushevska dhe personat e tjerë që paguan për banesat e objektit me emrin Filipi mbeten në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme, si një gjykatë e shkallës më të lartë. Shpenzimet gjyqësore lidhur me këtë çështje vazhdojnë të rriten dhe kanë arritur në mijëra euro, ndërsa një pjesë prej tyre tashmë janë duke u ballafaquar edhe me përmbaruesit. Megjithatë, në rast se gjykata përkatëse nuk do të marrë një vendim në favor të tyre, ato sqarojnë se do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësinë në Gjykatën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në Strazburg.

Lajme të ngjashme

Back to top button