Gjykata hesht për transferimin e të akuzuarve për rastin “Monstra”

Pala mbrojtëse si dhe familjarët janë në pritje të një përgjigjeje lidhur me transferimin e të akuzuarve për rastin “Monstra” nga Manastiri dhe Prilepi për në Shkup mëson Portalb.

Avokati mbrojtës Naser Raufi bën të ditur se kërkesa është bërë që dy javë dhe tani pritet përgjigje nga gjykatësi lidhur me këtë çështje.

“Ne kërkesën e kemi bërë dhe kemi arsye që ajo të kthehet pozitive. Duke pasur parasysh që procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar tërësisht ne kërkuam që ata të transferohen në Shkup që të jenë më afër familjarëve dhe gjykatës”, tha Raufi për Portalb.

Ai shtoi se nëse nuk marrin asnjë përgjigje atëherë do të ankohen në instanca më të larta.

Nga ana tjetër Avokati i Popullit, Ixhet Memeti sqaron për Portalb procedurën për transferimin e të akuzuarve të cilët janë në paraburgim.

“Duke pasur parasysh se të akuzuarit për rastin ‘Monstra’ janë ende në paraburgim, gjykatësi është ai që në bazë të kërkesës vendos transferimin e tyre. Po të ishin të burgosur drejtoria do të ishte ajo që miraton ekstradimin e të burgosurve”, tha për Portalb, Memeti.

Ai shtoi se nëse gjykatësi nuk përfill kërkesën e palës mbrojtëse dhe nuk merr parasysh arsyet e transferim, atëherë pala mbrojtëse do të duhet të ankohen në këshillin e gjykatësve.

Për familjarët do të ishte një lehtësim mjaft i madh po ti kishin të afërmit e tyre në Shkup, por ata tregohen skeptik sa i përket kësaj çështjeje.

“Na ka informuar avokati mbrojtës që kërkesa për transferim është bërë por nuk kemi shumë shpresa që ajo do të realizohet sepse tani më po bëhen tre vite që janë aty, por të ekzistonte drejtësia ata s;do të ishin fare pas grilave. Megjithatë shpresojmë që ata të kthehen në Shkup me qëllim që t’i kemi më afër dhe të mund t’i vizitojmë më shpesh”, tha vëllai i të akuzuarit Fejzi Aziri, Bedri Ajdari.

Sa i përket gjendjes momentale të Agim Ismailoviq, Ajdari bën të ditur se nuk ka informacion ngase vizitat i bëjnë çdo dy javë.

“Nuk e di se në çfarë gjendje ndodhen Agimi. Tani javën që vjen e kemi vizitën e radhës dhe do të shoh se a iu kanë lëshuar ngrohjen apo jo si dhe do informohem për gjendjen shëndetësore të tyre”, tha Ajdari.

Ndërkaq gjatë javës që lamë pas në burgun e Manastirit në të cilin vuajnë dënimin Fejzi Aziri dhe Agim Ismailoviq, të akuzuar për rastin “Monstra ende nuk ishte lëshuar ngrohja, edhe përkundër motit të ftohtë që po mbizotëron në vend.

Lajme të ngjashme

Back to top button