Ambasada e Amerikës organizon ceremoni për vendosjen e pllakës përkujtimore në Vratnicë për Luftën e Dytë Botërore

Më 26 nëntor, e mërkurë, nga ora 10:30 deri në 11:30 në varrëzat e Vratnicës, ambasadori Wohlers dhe ministri Jolevski do të marrin pjesë në vendosjen e pllakës përkujtimore në nder të bombarduesit amerikan B-24D nga Lufta e Dytë Botërore që më 26 gusht 1944 u përplas tek malet në afërsi të Vratnicës.

Kjo pllakë përkujtimore u përpunua përmes një granti nga Ambasada e SHBA, të administruar nga një organizatë joqeveritare lokale e veteranëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë.

Kur bombarduesi u përplas në vitin 1944, banorët e Vratnicës ishin ata që i erdhën në ndihmë aeroplanit të rrëzuar. Ata ndihmuan tre të mbijetuarit dhe varrosën gjashtë anëtarët e ekuipazhit që kishin humbur jetën. Përgjatë viteve, Ambasada e SHBA ka dëgjuar shpjegime të ndryshme mbi këtë ngjarje. Në vitin 2013, zyrtari i Ambasadës Spencer Fields, me ndihmën e banorëve të Vratnicës hulumtoi ngjarjet, organizoi një shetitje deri tek vendi ku u rrëzua aeroplani dhe konfirmoi identitetin e aeroplanit dhe emrat e pjesëtarëve të ekuipazhit. Kjo pllakë përkujtimore vendoset në nder të ekuipazhit të aeroplanit B-24 dhe në nder të banorëve të Vratnicës që ndihmuan të mbijetuarit.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button