Gashi: MASH del me projekte ofenduese duke injoruar kushtet abnormale në arsim

Kur lexon njeriu projekte të këtilla, mendon se gjendet në ndonjë vend me standarde të larta të jetës e me cilësi të lartë të arsimit, e jo në një vend ku shkollave u pikon çatia, ku nuk ka tualete për fëmijët, ku nuk ka ujë të pijshëm, ku arsimtarët punësohen me direktiva të degëve ta partive dhe ku librat shkollore janë krejt kundër asaj që do ta dëshironin familjet e atyre fëmijëve. Kështu e komenton për Portalb, publicisti Afrim Gashi, iniciativën e MASH-it e cila parasheh që prindërit të ndajnë nga koha e tyre e lirë gjatë vikendit që të shoqërohen së bashku me mësuesit dhe fëmijët.

“Të flasësh në Maqedoni për këso projektesh ku mungon gjithçka thelbësore, para së gjithash është tendencioze dhe ofenduese. Së pari, na mungojnë programet cilësore arsimore të cilat nuk janë të qëndrueshme, por secili ministër sjell nga një program të ri, njëri nga Holanda e tjetri nga Britania, dikush nesër mund të na sjell diçka nga Koreja. Kështu janë hutuar të gjithë në arsim, edhe arsimtarët edhe nxënësit e më së shumti ministrat e arsimit. E dyta, kushtet në të cilat punojnë arsimtarët janë tejet të rënda dhe jonormale, kurse të ardhurat e arsimtarëve janë nën çdo nivel, rrogë kjo e cila nuk i kënaq as nevojat themelore familjare të tyre dhe nuk ju lë hapësirë atyre që të kujdesen vetëm për punën e tyre, por shpesh detyrohen të punojnë edhe punë të tjera. E treta, prindërit e fëmijëve në të shumtën e rasteve janë ose të papunë e në prag të ekzistencës ose janë shumë të zënë me nga 12 orë, me çka mezi sigurojnë ekzistencën e familjes dhe nuk kanë kohë as t’i shohin fëmijët e tyre. “ thotë njëri nga inciuesit e lëvizjes “Besa”, Afrim Gashi për Portalb.

Kjo në përgjithësi është gjendja e familjeve shqiptare, andaj në këso kushtesh të propozohet një projekt i këtillë është më shumë ofendim e tallje me dinjitetin e prindërve dhe të arsimtarëve sesa ndonjë projekt serioz që dëshiron ta avancojë gjendjen e arsimit shqip, përfundon ai.

Lexo më shumë:
Idetë e MASH-it, qesharake për prindërit, vikendet janë ditë pushimi

Lajme të ngjashme

Back to top button