Ndodhin këto gjëra

Viti i largët 1985. Dimër, po koha ishte ende e butë në Shkup. Një vajzë në një stacion urban e priste autobusin. Terri kishte kohë që e kishte pushtuar lagjen. Aty më kot mundohej një fener të mbrohet prej tij e t’u fajë njerëzve pak dritë. Vajza u kthye, më drejt e ktheu kokën ta shohë a është autobusi i saj numër 19 që e priste, po s’ishte as ky. Kishte kohë që kishte dalë nga shtëpia, prandaj ndjehej keq. Ku ta dish se çfarë mund të mendonin njerëzit, po ta shihnin. Këta njerëzit tonë që e hanë bukën e vet dhe e mbajnë dertin e huaj. Kaloi edhe një autobus. As ky nuk ishte. Edhe një. Edhe një. Shumë autobusë shkojnë. Asnjëri nuk ishte. Ndërsa lagjja e saj ishte larg. Për taksi para nuk ka. Më në fund – s’kishte tjetër, u nis. E priste nëna.

Duke ecur me hap të shpejtë, por me kujdes, e shtrëngonte çantën e saj të vjetër, jo se kishte para, po ishin dokumentet aty që kërkojnë kohë, po edhe para, për t’u nxjerrë të reja. I kaloi, do të thosha nja dy-treqind metra dhe i ra një dritë në një kullë para saj. Dhe një reklamë me dritë që reklamonte orët e dikurshme Insa. Atëherë iu kujtua ora. Meqë i ishte këputur rripi, ajo orën e mbante në çantë. E nxori. E pa në dritën e zbehtë të rrugës. Njëzet e tre e njëzet. Vonë.

E kroi qafën thuajse kërkon ngushëllim. E ndjeu lodhjen. U lodh, jo nga hapat e shpejt, po ngase muskujt i kish të shtrënguar. Dikur pranë saj kaluan disa të dehur. Shanin. Njëri vazhdimisht bërtiste: “Shqiptarët… shqiptarëve… dhe në vend të këtyre tri pikave kishte sharje. Sharje të rënda. Po vajza ishte e veshur si krejt bota, jo me havale, prandaj të dehurit nuk e dinin se ajo është shqiptare. Vajza e shpejtoi hapin. Me kujdes. Ajo e dinte. Grabitqari sulmon kur preja ikën. Ajo, ta merr mendja, nuk donte të zbulohet si pre. Dikur zhurma e pijanecëve u tret prapa saj. E ndjente lagështinë në këpucët e saj që depërtonte pamëshirshëm nëpër këpucët e saj të grisura.

Dikur doli në sheshin e qytetit. Atëherë mori frymë thellë. E ndjeu një lehtësim. I dukej se lodhja iki nga shtati i saj. Me të vërtetë i largohek lodhja sepse muskujt e shtrënguar i liroheshin. Vetvetiu i doli goje: o Zot! Pastaj doli te gjyqi. Atëherë e rrokin dridhmat. Iu kujtua i ati i saj në burg. Ky gjyq e kishte dënuar për një fjalë goje. Ajo u rrit duke pritur të atin. E ai ende ishte aty, brenda. Iu kujtua si shkoi gjyshja e saj ta lusë një njeri te një sportel të ndihmonte që ta lirojnë të birin e saj, babanë e vajzës.
“Mos u mërzit gjyshe”, i pat thënë njeriu plakës, “ndodhin këto gjëra… Burgu për burra është”…

Rruga që e kaloi ishte më shumë se gjysma. Po kjo pjesë tash ishte më e vështira, më e rënda. Aty ishte ajo ndërtesë që e kishte ndërruar rrjedhën e jetës së familjes së saj. Pastaj i jepte hapit. Ngutej. T’i ikë këtij vendi me ndërtesën që i sjellë hidhëti. Por rrugës e ndiqte një emër që i jehonte në vesh: Babahov, apo Babanon, ashtu diçka! I kujtohej se këtë emër e kishte dëgjuar në korridoret e gjyqit atëherë kur gjyqi e dënoi të atin e saj si nacionalist. Ajo s’e dinte atëherë se çfarë ishte nacionalist. Po kjo fjalë së bashku me Babahovin ose Babanovin iu bënë fjalë që do ta ndjekin tërë jetën. Po edhe ai njeriu që e kishte larguar me ironi gjyshen e saj.

Ndërkohë, me këto mendime ajo kishte ecur mjaft. Dhe, e ndjeu se dikush i shkonte prapa. Ajo të vrapojë nuk donte për shkak të rregullit që e dinte për grabitqarin e prenë. Tash nuk ngihej me ajër. Pastaj dëgjoi ia dhanë vrapit ata që e ndiqnin. Nuk arriti të kthehet. Veten e pa në tokë. Iu kujtua një grusht i fortë që e kishte goditur në kokë. U mundua të çohet dhe e kërkoi me dorë çantën aty përreth. Nuk e gjeti. U ngrit me zor. Dhe, u drejtua rrugës kah shtëpia. Pastaj ajo nuk e dinte as vet si u gjet para derës së saj. E hapi, kurse dera kërcëlloi. Menjëherë nëna e saj doli ta presë. Kur hynë në dhomë, nëna e pa fytyrën e të bijës të mavijosur.

“Çfarë ndodhi, bija e nënës”? e pyeti, kurse vajza u alivanos.

Rastin e paraqitën në milici. Atje i kërkuan deklaratë. Pastaj i thanë:
“Shko në shtëpi… Ndodhin këto gjëra…”…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button