fbpx

MASH nuk përfill Ambasadën e Kosovës as reagimet e shumta, libri i Shoqërisë nuk tërhiqet

Edhe përkundër reagimeve të shumta ndaj librave skandaloz me të cilat mësojnë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nuk e shesh të arsyeshme tërheqjen e tyre.

Kështu ndodh edhe me librin e Shoqërisë për klasën e pestë nëntëvje­çare, ku flamuri i Kosovës është shënuar që është i Greqisë, gjë që sipas mësimdhënësve i huton fëmijët dhe më nuk janë të sigurt se si duket flamuri kosovar.

Drejtori i shkollës fillore “Liria”, në Shkup, Talat Sadiku bën të ditur për Portalb, se ky libër nuk është tërhequr nga MASH-i dhe se deri më tani nuk kanë marrë asnjë informacion lidhur me këtë çështje.

“Nuk kemi marrë njoftim nga MASH se ky libër do të tërhiqet. Ta shohim se çfarë do të ndodh vitin e ardhshëm kur edhe do të duhet të ndërrohen librat”, tha Sadiku për Portalb.

Nga MASH nuk na dhanë informacion lidhur me përmirësimin e këtij gabimi skandaloz, edhe pse një gjë të tillë e kishte premtuar ish zëvendës ministri i arsimit, Safet Neziri qysh vitin e kaluar.

Nga MASH po ashtu edhe Ambasada e Kosovës në Maqedoni kishte marrë premtimin se ky gabim i quajtur teknik do të mënjanohet.

“Ambasada e Kosovës në Shkup ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që të evitohet gabimi nga librat shkollor, ku flamuri i Kosovës shënohet se është flamuri i Greqisë. Ambasada ka informuar se ambasadori Ylber Hysa ka biseduar me Ministrin e Arsimit, Abdylaqim Ademi, dhe ka kërkuar nga ai mirëkuptim që të evitohet gabimi në librin e Shoqërisë për klasat e pesta, ku flamuri i Kosovës është shënuar si flamuri i Greqisë. Ministri Ademi premtoi se do të evitohet ky gabim teknik”, thuhej në reagimin e ambasadës.

Mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Prindërit apelojnë deri tek MASH, se deri sa merret me testimet eksterne dhe me takimet e mësimdhënësve me prindër, më mirë le të shikojë të përmirësojë gabimet skandaloze dhe qesharake që bëhen në tekstet shkollore të cilat janë projekte milionëshe.

“Nuk e di se si merret me testimin ekstern dhe me takimet gjatë vikendeve mes mësimdhënësve dhe prindërve, kur librat shkollor në gjuhën shqipe janë skandaloze. U tha që do të përmirësohet gjendja me librat e Kembirixhit, çfarë të shohësh aty, nuk kuptohet asgjë. E gjithë kjo shfaqje bëhet për të tërhequr vëmendjen nga problem serioz këtu, larja e parave përmes projekteve që vlejnë miliona, kurse neve na shesin libra skandaloz qesharak të cilët vetëm që hutojnë fëmijët tanë”, tha Adem T., prind.

 

Libri-i-Shoqërisë-për-klasën-e-pestë-1.jph

 

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close