Kush manipulon me numrat për shfrytëzimin e parave evropiane?

A arriti Maqedonia të marrë sa duhet nga torta e vlefshme 622 milionë euro – para që i kemi në dispozicion nëpërmjet fondeve IPA. Përderisa nga njëra anë, huatë komerciale të qeverisë janë në rritje të pandërprerë, nga ana tjetër më shumë se gjysma e parave evropiane – qëndrojnë të pashfrytëzuara. Ministri për financa dhe koordinatori për shfrytëzimin e komponentës së tretë dhe të katërt të IPA-s, thotë se vendi është në hap me ekonomitë tjera që kishin qasje në këto para, nga Qendra maqedonase për arsim evropian për “Portalb”-in thonë se qeveria manipulon me numrat dhe se vendi nuk tregoi kapacitet për absorbimin e këtyre parave.  

Sa para janë në dispozicion – e sa janë shfrytëzuar? 
Prej vitit 2007, Maqedonia ka pasur në dispozicion 622 milionë euro – para evropiane që duhet të shfrytëzohen nëpërmjet katër komponenteve të ndryshme të IPA-s. Deri tani, pas shtatë vitesh, tërësisht është shfrytëzuar vetëm shuma e komponentës së parë të IPA-s në vlerë prej 58,5 milionë eurosh. 

“Nga IPA e vitit 2008, që kap vlerën e 70 milionë eurove akoma realizohen shumë projekte ose sapo kanë përfunduar disa prej tyre. Aq më keq, te komponenta II tashmë kemi humbur mjete nga IPA, ndërsa te komponenta III akoma realizohet projekti për ndërtimin e stacionit filtrues në Prilep. Nëse bëjmë një llogaritje të përafërt, nga IPA 2008, nga gjithsej 70 milionë euor, janë absorbuar pjesa më e madhe e parave – por jo të gjitha, ose jo më shumë se 60 milionë euro” – thotë Lidija Dimova nga Qendra maqedonase për arsim evropian. 

Gjendja është edhe më dramatike në komponentën e tretë të IPA-s. Gjysma e marrëveshjeve të parapara akoma nuk janë nënshkruar, e ato që janë nënshkruar do të realizohen gjatë viteve 2013 dhe 2014, e disa madje edhe në vitin 2015. Nga gjithsej 82 milionë euro, sa është “e rëndë” kjo komponentë, janë shfrytëzuar 10 milionë euro. 

Dimova thotë se ka rrezik që të humben mjetet për shkak se ka mjaft projekte të rrezikshme në vlerë prej rreth 6,5 milionë eurove për të cilat marrëveshjet duhet të nënshkruhen deri në fund të vitit. 

Te IPA 2010 gjendja është edhe më e keqe. Planet e qeverisë kanë qenë ambicioze – realizimi i dobët. Kështu për shembull, është nënshkruar vetëm një marrëveshje prej 1,2 milionë eurove për një projekt në Drejtorinë veterinare (komponenta e parë), ndërsa janë paraparë 30 marrëveshje që duhet të nënshkruehn deri në dhjetor të vitit 2013. 

Edhe me IPA 2011 situata është e njëjtë. Rreth 1 milion euro janë harxhuar në komponentën e parë, ndërsa projekti në Prilep ka ngecur në procedurat e tenderimit. Te IPA 2012 dhe 2013 kemi tërhequr rreth 270.000 euro. 

Sipas Dimovës, nga të gjitha paratë që kanë qenë në dispozicion, deri tani Maqedonia la arritur të shfrytëzojë 140 milionë euro dhe thotë se ministri i financave manipulon me të dhënat. 

“Kur do t’i mbledhim të gjitha këto shifra, fitojmë një numër që nuk është më i madh se 140 milionë euro. Është e paqartë se prej ku Stavreski e nxori numrin 190,2 milionë euro, para të shfrytëzuara nga të gjitha komponente IPA. 

Para do kohësh, ministri Stavreski deklaroi se Maqedonia duhet të jetë e kënaqur me tempon e deritanishme të shfrytëzimit të këtyre mjeteve. 

“Përqindja e shfrytëzimit të IPA fondeve deri në fund të qershorit është diku rreth 37 përqind në të gjitha komponentet e IPA-s dhe kjo përqindje deri në fund të vitit, në bazë të aktiviteteve të parapara për atë që duhet të ndodhë do të rritet në 48 përqind”, deklaroi Stavreski dhe shtoi: 

“Rregulla për shfrytëzimin e këtyre mjeteve është tre vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes financiare. Nëse dikush mendon se menjëherë mund të realizohet e gjithë ndihma, aty qëndron edhe problemi, sepse procesi i përgatitjes së këtyre projekteve është shumëvjeçar, e procesi i implementimit as që ka filluar, e as nuk ka përfunduar dhe ka kohë që të tërhiqen këto mjete.”

Qasje në 6 miliardë euro nëse bëhemi pjesë e BE-së? 
Qeveria dhe Qendra maqedonase për arsim evropian ofrojnë numra dhe përqindje të ndryshme të shfrytëzimit të fondeve IPA. 

“Nëse e marrim Kroacinë, ku sistemi i decentralizuar u zbatua në vitin 2006 dhe Turqinë që e bëri këtë në vitin 2003, shtatë vite para nesh, përqindja e shfrytëzimit te ato është ndërmjet 48 dhe 51 për qind. Domethënë, përafërsisht jemi në nivelin e njëjtë të shfrytëzimit të mjeteve që tregon se Maqedonia, duke pasur parasysh faktin se më vonë u akreditua për menaxhim të decentralizuar të mjeteve, relativisht me suksesh dhe shpejt arriti t’u bashkangjitet të tjerëve dhe të arrijë një nivel të shfrytëzimit të mjeteve”, deklaroi ministri Stavreski.

Ky është një manipulim i pastër, konsideron Dimova, e cila thekson se duhet bërë dallim ndërmjet “marrëveshjeve të nënshkruara” dhe “parave të shfrytëzuara”. 

“Qëllimisht ose jo, Stavreski harron të thotë se, sipas rregullativës së IPA-s, VETËM Maqedonia kishte të drejtë të zhvillojë sistem për menaxhim të decentralizuar të ndihmave nga BE-ja, dhe VETËM Maqedonia (së bashku me Kroacinë dhe Turqinë, nënkuptohet) kishte qasje në komponentat III, IV dhe V, për shkak se deri para disa kohësh, VETËM Maqedonia kishte status të vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa vendet e tjera (Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia) nuk e kishin këtë të drejtë. Shumë lehtë është të jesh i pari kur garon me vetëveten!”, thotë Dimova. 

Sipas ministrit për financa, deri në fund të vitit duhet të shfrytëzohen 48% nga shuma e përgjithshme e parave. 

“Madje edhe sikur të jetë ashtu (shfrytëzimi i mjeteve të jetë 48%), duhet mbajtur llogari se nuk është njësoj kur flasim për vendet që janë në proces të anëtarësimit (si Maqedonia) dhe vendet-anëtare, për shkak se sasia e parave nuk është e njëjtë. Për shembull, Maqedonia nga fondet paraaderuese të IPA-s ka gjithsej 622 milionë euro mjete të pakthyeshme për periudhën 2007-2013, ndërsa një vend me madhësi dhe zhvillim të ngjashëm si Maqedonia (që do të ishte anëtare e BE-së) do të kishte rreth 6 miliardë euro nga fondet strukturore dhe kohezive të BE-së. Të shfrytëzosh 48% (që është kontestuese) nga 622 milionë euro nuk është e njëjtë sikur t’i shfrytëzosh 48% nga 6 miliardë euro”, vlerësonë Dimova. 

Mu nëpërmjet fondeve evropiane, një pjesë e madhe e vendeve të BE-së edhe para anëtarësimit edhe pas anëtarësimit arritën që me paratë të realizojnë projekte të rëndësishme dhe strategjike shtetërore dhe private. 

* Në analizën e ardhshme të “Portalb”-it – ku është sektori privat në “tregimin” me paratë evropiane, cilat janë vërejtjet e firmave, cilat janë shkaqet për qasje të vështirësuar te paratë? 

Aneta Dodevska, Portalb

  

Lajme të ngjashme

Back to top button