Gostivar, promovohen botimet e Rexhep Qoses, Sadulla Zendelit dhe Ilir Shaqirit

Në kuadër të festave të nëntorit, në hapësirat e sallës së Këshillit Komunal, të Gostivarit u  organizua promovimi i botimeve të reja dhe takimi me shkrimtarë e studiues: Prof. Rexhep Qosja, “Ditarët – Dëshmitar në kohë historike” (pesë vëllimet e para), Sadulla Zendeli – Daja, Fjalor suedisht – shqip (35.000 fjalë) dhe Ilir Shaqiri, “Tan Temali”, roman.

Ngjarja filloi me një minutë heshtje në shenjë respekti për ambasadorin e ndjerë të Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Petrit Bushati.

“Për mua si kryetar komune dhe për gjithë qytetarët e Gostivarit është një nder i madh që në mesin tonë kemi njerëzit më të mëdhenj të kombit, që kanë dhënë kontribut të madh që shoqëria shqiptare të ecë përpara. Ju dëshiroj mirëseardhje njerëzve më të mëdhenj të kombit. Me ardhjen e tyre për promovimin e librave, ata kanë nderuar të gjithë qytetarët e Gostivarit”, theksoi kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.

“Unë e kam filluar ditarin në vitin 1966. Atëherë parashihej se do fillojnë të vihen marrëdhënie mes shqiptarëve dhe Shqipërisë, atëherë themelohej edhe Instituti Albanologjik dhe do institucione dhe ma merrte mendja se do kem çka të them. Përpos për Kosovën, për të cilën kam shkruar më së shumti se më së miri e kam njohur gjendjen aty dhe për Shqipërinë kam shkruar shumë. Kam shkruar edhe për Maqedoninë dhe për shqiptarët në Maqedoni. Shkrimi im i parë në atë ditar për shqiptarët në Maqedoni, është shkrimi për disa ngjarje politike jo të zakonshme në atë kohë kur unë i kam shkruar. Në Kosovë dihej mirëfilli se ushtrohej dhunë e terror pas 1981-shit, por këto që ndodhën atëherë në Maqedoni, nuk ndodhnin në Kosovë. E para, ju ndalohej shqiptarëve tu vinin emra kombëtarë dhe historik fëmijëve të vet. E dyta, prej një numri të madh të këngëve popullore shqiptare që emitoheshin në radiot lokale dhe në radion qendrore dhe në televizionin  e Shkupit, u ndaluan. Pra një numër i madh i tyre, mbi 80 për qind e këngëve që këndoheshin, sepse u vlerësuan si këngë nacionaliste, megjithëse numri më i madh i tyre ishin këngë për dashurinë, natyrën, këngë për kurbetin e tjera. Dhe e treta, ishte shkatërrimi i mureve dhe rrethojave të shtëpive. Ishte ky një problem që s’ndodhte tjetërkund”, tha akademik Rexhep Qosja, autor i ditarit në pesë vëllime “Dëshmitar në kohë historike”.

“Unë pata fatin që në mesin e nëntë intelektualëve nga Kosova dhe vendet tjera shqiptare, mu dha projekti i këtij libri edhe ky libër u bë. Fjalori i parë ishte me 17000 fjalë, i dyti me 28500 fjalë. Pastaj erdhi fjalor i tretë i cili më ka marrë një kohë prej nëntë vitesh. Ato nëntë vite nuk ishin pak, por ishin mjaft intensive që të del ky fjalor. Tani e kemi barazuar leksikografinë shqiptaro-suedeze me fjalor shqip-suedisht dhe suedisht-shqip dhe jemi të parët në Evropë që kemi më tepër fjalor për shqiptarë se sa kombet dhe kombësitë tjera”, tha Sadulla Zendeli-Daja.

“Falënderoj kryetarin e komunës së Gostivarit, z. Nevzat Bejta për organizimin, falënderoj drejtoreshën e shtëpisë më të madhe botuese “Toena” e cila bëri të mundur që unë të botoj romanin tim të parë “Tan Temali”. I jam shumë mirënjohës profesorit tim të nderuar, dritëdhënësit tonë, akademik Rexhep Qoses i cili bëri parafjalën në romanin tim të parë. Besoni se unë atë pjesë që e kam shkruar për nja dy vite të romanit nuk do ta kisha botuar pa më dhënë vizën profesor Qosja, dhe jo vetëm vizën por ai më ka dhënë shumë zëmër që të vazhdoj me letërsinë. Falënderoj edhe deputetin e Republikës së Shqipërisë, Fatmir Toçi i cili më ofroi pranë shtëpisë më të madhe botuese “Toena”. I kam lexuar katër ditarët e profesor Qoses, i pesti sapo ka dalë dhe do vazhdoj ta lexoj. Lexues të nderuar, do ju thosha se katër ditarët e profesor Qoses, për mua janë katër vite universitet”, theksoi Ilir Shaqiri, autor i romanit “Tan Temali”.

“Dua të them dhe është një lloj autokritike, se duke qenë për njëzet vjet me shtëpinë botuese “Toena” nuk ka ndodhur të bëjmë një promovim serioz, të menduar mirë këtu në Gostivar dhe kjo është një gjë që nuk na falet. Më vjen shumë mirë që sot na u dha rasti, por kemi ardhur me dinjitetin, me prezencën e një personaliteti si profesor Qosja ndoshta për ta shlyer këtë gabim. Duhet që këto takime midis shqiptarëve, është siç ky program, të bëhen sa më natyrshëm dhe të jenë fare të zakonshme”, tha Fatmir Toçi, deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

“Lidhur me profesor Rexhep Qosën, për ditarët që tani janë gjurmë e re, këta ditarë janë rrënjët e mendimit dhe të shkrimit të Rexhep Qoses, nga këto rrënjë u bë pemë e madhe me shumë degë dhe me shumë fruta. Lidhur me Ilir Shaqirin, ta lejmë atë këndoje, të shkruaj dhe ta dëgjojmë atë zë të bukur. Për Dajën, në këtë fjalor kemi Dajën autor, unë jam redaktor, Fatmir Toçi është botues. Ky libër nuk është një moment i rastit sot, por është vazhdë e një pune të gjatë të përbashkët”, u shpreh Xhevat Lloshi.

“Ne gjendemi në Maqedoni me një mision kulturor, Instituti i librit dhe promocionit ka iniciuar këtë muaj që të zhvilloje në Maqedoni ditët e kulturës Shqiptare. Për këtë arsye, kemi ardhur së bashku me tre autor, profesor Rexhep Qosen me ditarin e tij në pesë vëllime deri më tani “Dëshmitar në kohë historike”, shkrimtarin Sadulla Zendelin-Dajën që njëkohësisht është një nga arsimtarët më të shquar shqiptarë jashtë kufijve shtetëror dhe këngëtarin e shquar Ilir Shaqiri, në rastin tonë si një shkrimtar për ta prezantuar para jush dhe me pesëdhjetë piktor të peizazhit nga më të mirët që i ka Shqipëria dhe rajoni për të hedhur në “Telajo”, peizazhet më të bukura ku banojnë banorët e këtushëm”, tha Irena Toçi, drejtoreshë e Institutit të Librit dhe Promocionit.

 

 

 

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button