Programi bërthamor i Iranit, sot skadon afati

Sot skadon afati i fundit i arritjes së një marrëveshjeje mbi programin bërthamor të Iranit dhe diplomatët po intensifikojnë përpjekjet për finalizimin e bisedimeve me një ujdi.

Nëse kjo nuk arrihet, do të tentohet të paktën një zgjatje e afatit. Në fakt, gjasat janë të pakta që negociatat të prodhojnë brenda ditës një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Dallimet mes palëve janë të mëdha, siç la të kuptohet edhe shefi i diplomacisë britanike Philip Hammond.

“Për momentin, jemi të fokusuar tek kjo përpjekje e fundit me shpresën se do të arrijmë rezultat. Por, nëse nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë një gjë të tillë, atëherë do të shohim se ku mund të mbërrijmë nga kjo pikë”, theksoi Hammond.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Rusia, Kina, Franca dhe Gjermania duan që Irani ta reduktojë programin e tij bërthamor, duke përfituar në këmbim heqjen e sanksioneve të OKB-së. Teherani vazhdon të këmbëngulë se nuk kërkon të prodhojë armë atomike, por i nevojitet energjia bërthamore.

Presidenti i Republikës Islamike, Hassan Rouhani, është shprehur më parë se nëse Perëndimi nuk paraqet kërkesa të ekzagjeruara, atëherë marrëveshja është e arritshme. Në vjen, pritet të mbërrijë edhe ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, çka do të thotë se të pranishëm në takim do të jenë të gjithë krerët e diplomacisë së grupit të njohur P5+1./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button