KREDITË PËR BANESA: Bien kamatat, borxhet arrijnë në 350 milionë euro!

Bankat njoftuan për zvogëlim të ri të kamatave, për kreditë për banesa – hap ky që duhet ta rrisë kërkesën, veçanërisht për ato që i subvencionon shteti me para të popullit. Sipas të dhënave të Bankës Popullore, në tetor borxhi i përgjithshëm kreditor i qytetaerëve ka qenë 1,7 miliardë euro, me ç’rast është regjistruar rritje e konsiderueshme te kreditë konsumatore dhe te kreditë për banesa. Bankierët deri në fund të vitit presin kërkesë të shtuar për kredi, por jo edhe relaksim më të madh, gjegjësisht lehtësim të kushteve për miratim të kredive. Ndërsa ndërtimtarët thonë se çmimet e banesave në zonën qendrore të qytetit nuk do të zvogëlohen, por edhe se kërkesa për banesa në lagjet periferike bie.

Banesat në periferi – joatraktive, cilat do të jenë çmimet?  

Kamatat për kreditë e banesave që ofrohen nëpërmjet projektit “Blej shtëpi – blej banesë” u zvogëluan në 3,9%, përqindje që është e garantuar në tre vitet e para. Kjo kamatë konsiderohet si më e ulëta deri tani, dhe duhet ta stimulojë kërkesën e kredive. Sipas një pjese të ndërtimtarëve, ky zvogëlim i kamatave nuk do të ndikojë mbi kërkesën për banesa që shiten jashtë zonës qendrore të qytetit.

“Mendoj se kamatat e zvogëluara për kreditë e banesave janë përshtatur për aksionin “Blej shtëpi – blej banesë”. Në këtë moment ka kërkesë të shtuar për banesa në lokacione më të mira, në zonën më të ngushtë qendrore. Në zonën më të gjerë, gjegjësisht në lagjet periferike edhe përkundër çmimeve më të ulëta të banesave, ja tani edhe të kamatave të kredive, kërkesa zvogëlohet”, thotë Nikolla Vellkovski nga Oda e ndërtimtarisë.

Sipas ministrit për financa, projekti “Blej shtëpi, blej banesë”, ka arritur efekt të konsiderueshëm në përforcimin e ofertës konkurruese të bankave me zvogëlim të kamatave. Stavreski vlerësoi se përqindjet e kamatave për kreditë për banesa janë në nivelin më të ulët historik prej rreth tre përqind dhe se kjo është mundësi e mirë për shumë qytetarë një herë e përgjithmonë ta zgjedhin çështjen e banimit.

“Bankat, duke pasur parasysh se përqindjet e kamatave nëpërmjet projektit “Blej shtëpi, blej banesë” janë të ulëta, nën katër përqind, bënë ulje të përqindjeve të kamatave që të munden edhe nga mjetet e veta të japin kredi për banesa. Përqindja e kamatës për këto kredi ka ardhur në nivelin më të ulët historik. Të merret kredi për banesë me kamatë më të ulët se tre përqind është mundësi e mirë për qytetarët që ta zgjedhin çështjen e banimi njëherë e përgjithmonë” – deklaroi ministri Stavreski.

Në shtator, sipas të dhënave nga Enti statistikor, ishte planifikuar ndërtimi i 448 ndërtesave në vend. Prej tyre, më shumë se gjysma apo 296 ndërtesa janë planifikuar të ndërtohen në rajonin e Shkupit, edhe atë në Aerodrom 132 ndërtesa të reja, në Ilinden 88 ndërtesa dhe në Qendër 55 ndërtesa të reja. Në komunën e Gazi Babës është planifikuar ndërtimi i 9 ndërtesave, ndërsa në Karposh dhe në Kisella Vodë nga tre ndërtesa. Në listë, sipas numrit të ndërtesave të reja vijon rajoni i Pollogut me 50 ndërtesa të reja, prej të cilave në Gostivar do të ndërtohen 23, në Tetovë 5, nga gjashtë në Bërvenicë dhe në Vrapçisht. Në rajonin jugperëndimor në shtator është planifikuar ndërtimi i 35 ndërtesave, prej të cilave 16 në Dibër dhe 12 në Strugë, e pastaj vjen rajoni lindor me 20, rajoni i Pellagonisë me 19, rajoni juglindor me 11 banesa dhe rajoni verilindor ku do të ndërtohen 9 ndërtesa.

Sipas Vellkovskit, në periudhën që pason nuk duhet të pritet zvogëlimi i çmimit të metrit katror të banesave për shkak se janë rritur harxhimet për ndërtim.

“Në zonën më të ngushtë të qytetit nuk jam i sigurt se çmimet e banesave do të zvogëlohen. Mund të ketë rënie incidentale të çmimeve vetëm si rënie momentale kur ndërtimtarët do të kishin nevojë urgjente për para. Çmimet nuk mund të zvogëlohen në masë të madhe për shkak se harxhimet për punë mbeten të njëjta, duhet paguar puna e dorës dhe materialet për punë, çmimet e të cilave nuk zvogëlohen dhe nuk pres që kjo të ndodh në të ardhmen”, thotë ndërtimtari Vellkovski, i cili thekson se pikërisht lokacioni është vendimtar për çmimin e banesës.

Sipas tij, çmim më të lartë prej 1200 eurosh për metër katror kanë banesat në zonën qendrore të qytetit dhe kryesisht vlejnë për ndërtesa më të vogla me rreth 50 banesa. Për dallim nga këto banesa, në lagjet e tjera ofrohen banesa në komplekse më të mëdha, me më tepër banesa, që gjithsesi është faktor që ndikon në çmimin më të ulët të tyre.

Në raportin e paradokohshëm, Banka Popullore ka regjistruar rritje të çmimeve të patundshmërive, pasi dy tremujorë me radhë pati rënie të tyre.

“Pasi në dy tremujorët e kaluar u regjistrua zvogëlim, çmimet e patundshmërive shënuan rritje në tremujorin e dytë të vitit 2014. Në fakt, indeksi i çmimeve të banesave është më i lartë për 2.2% në bazë të tremujorëve, që kontribuoi për ngadalësim të rënies së çmimeve në bazë vjetore (rënie prej 0.4%, pas rënies prej 3,1% në tremujorin e parë të vitit 2014).” – shkruan në raportin e BPRM-së.

Deri tani nëpërmjet projektit “Blej shtëpi – blej banesë”, kredi kanë marrë 350 familje, ndërsa vlera e subvencioneve të paguara arrin në 2.5 milionë euro. Në projekt janë të përfshira nëntë banka.

Borxhet për shkak të kredive për banesa…

Në tetorë, borxhet kreditore të qytetarëve kanë qenë 1.7 miliardë euro dhe sipas të dhënave më të reaj të Bankës Popullore borxhet e qytetarëve edhe në muajin paraprak, të dhjetë, në krahasim me atë paraprak kanë shënuar rritje. Sipas të dhënave, prej fillimit të vitit, në vazhdimësi rritet ngarkesa me borxhe, edhe me kredi në denarë edhe me kredi në deviza.

Qytetarët më së shumit kanë marrë kredi konsumatore, kështu që për këtë lloj të kredive ato bankave u kanë pasur borxh 745 milionë euro.

Rritet edhe ngarkesa me borxh për shkak të kredive për banesa, e cila në tetor arrit vlerën prej 348 milionë eurosh.

Të dhënat flasin për rritje të ngarkesës me borxhe për shkak të kartelave kreditore dhe llojet e tjera të kredive, ndërsa zvogëlim ka te kreditë për automobila dhe te saldot negative të llogarive rrjedhëse.

Sipas të dhënave të më reja të Bankës Popullore, në tetor, ngarkesa e përgjithshme me borxh e firmave dhe e qytetarëve në banka arrin vlerën prej 4 miliardë eurosh dhe për një muaj është rritur për 17 milionë euro. Të dhënat flasin për atë se rritet ngarkesa me borxhe për shkak të kredive në denarë, ndërsa borxhet në valutë të huaj zvogëlohen.

Në të njëjtën kohë, deri sa shënohet rritje e aktivitetit kreditor, të dhënat tregojnë edhe rritje të kredive jofunksionale, gjegjësisht të kredive problematike, të cilat në tetor arritën në nivel prej pothuajse gjysmë miliardë eurosh, që është niveli më i lartë i matur deri më tani./PortAlb

Lajme të ngjashme

Back to top button