Putin mohon me forcë: Rusia nuk është e izoluar

Presidenti rus Vladimir Putin hodhi poshtë zërat se Moska do të izolohet ndërkombëtarisht për shkak të krizës në Ukrainë dhe tha se ekonomia e Rusisë nuk do të jetë e vetmja që do të vuajë pasojat e sanksioneve të Perëndimit, që kanë shkaktuar rënien e çmimit të naftës por edhe zhvlerësim të rublës ruse.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të aneksimit nga ana e saj të gadishullit të Krimesë, ish-territor ukrainas, si dhe për mbështetjen e separatistëve në lindje, të cilët kundërshtojnë regjimin e Kievit.

“E kuptojmë shumë mirë fatalitetin e ‘perdes së hekurt’ ndaj nesh” është cituar të ketë thënë Putin nga agjencia e lajmeve Itar-TASS, në një intervistë të publikuar këtë të diel. “Ne nuk do të biem në këtë rrugë, në asnjë rast, si dhe nuk do të lejojmë askënd të ndërtojë një mur përreth nesh. Kjo është e pamundur”, ka thënë Putin.

Sanksionet kanë goditur ekonominë e dobësuar të Rusisë dhe ka shkaktuar një zhvlerësim të rublës, ndërkohë që presioni rëndohet edhe më shumë nga një rënie e ndjeshme e çmimit global të naftës, një prej mallrave kryesore të eksportit në Rusi.

“Nëse çmimi i energjisë ulet me qëllim, kjo do të godasë gjithashtu edhe ata që e ndërmarrin këtë hap, apo që vendosin këto limite”, tha Putin. “Është mëse e sigurt se sanksionet, rëniet e ndjeshme të çmimit të naftës dhe zhvlerësimi i monedhës kombëtare nuk do të shkaktojnë efekte negative apo pasoja katastrofike vetëm për ne. Asgjë e tillë nuk do të ndodhë”.

Putin e ka lidhur rënien e çmimit të naftës me rritjen e prodhimeve të naftës argjilore dhe gazit në SHBA, rritjen e prodhimeve nga Libia dhe Arabia Saudite, si dhe prodhimi nga Iraku, përfshi ato që ai i konsideroi si shitje në tregun e zi nga militantët e Shtetit Islamik, të cilët kontrollojnë pjesë të tëra të Irakut dhe Sirisë. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button