“Bomba”, ironia e kërcënimeve të ndërsjella mes dy liderëve

Kryeministri Nikolla Gruevski nuk i trembet ‘bombës’ së Zaevit. Përkundrazi, oponentit të tij do t’i kundërvihet me siç theksoi ai, një ‘bombë’ tjetër por pozitive. Gruevski në një intervistë për televizionin Sitel, tha se pushteti i tij nuk mund të lëkundet nga kërcënimet e vazhdueshme të Zaevit, pasi Qeveria është e fokusuar në zgjidhjen e problemeve shumëvjeçare të qytetarëve, transmeton Alsat.

“Nuk frikësohem nga asgjë, Zaev gjithmonë është kërcënuar, le të vazhdojë me kërcënime… paralajmëron bomba, por ne punojmë me bomba të tjera. Ja ne po e përgatisim një ‘bombë të vogël’ por pozitive me të cilën do të zgjidhim një problem shumëvjeçar të mijëra njerëzve në Maqedoni, të cilën planifikojmë ta publikojmë shumë shpejtë. Pra ne kemi qasje pozitive drejt zgjidhjes së problemeve, ndaj reformave, për tu ndihmuar njerëzve. Ata janë të ngecur në një sferë tjetër të fushatës negative, manipulimeve”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.

Nga ana tjetër kryeministri Gruevski konfirmoi se nuk ka tërheqje nga masa e propozuar ligjore për testim ekstern në fakultet, pavarësisht refuzimit të saj nga studentet. Ai këtë herë ndryshoi qëndrim duke theksuan se nuk bëhet fjalë për testim ekstern por shtetëror. Gruevski madje akuzoi opozitën maqedonase se i nxit studentët në protesta.

“Partia në opozitë, LSDM-ja, sipas informacioneve tona, ishte fortë e fokusuar që të dilnin sa më shumë studentë, sidomos të fakulteteve në Shkup, sikurse Juridik, Ekonomik, veçanërisht të Arkitekturës, ku disa profesorë me lista kanë nxitur studentët të dalin në protesta. Edhe kjo është pjesë e pluralizmit, por nuk është etike që një profesor ta bëj këtë”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër.

Gruevski këmbëngul se qëllimi i testimit të studentëve është përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë, madje se testime të tilla bëhen edhe në shumë shtete të tjera. Testimi i parë tha Gruevski do të realizohet në vitin 2017.

Lajme të ngjashme

Back to top button