Një shoqëri e fjetur zgjohet nga një zemër e gjallë!

“Agoni është shumë i ri për të menduar aq thellë për këto tema të rënda siç është politika dhe krimi në shoqëri”. Kështu u pajtuan nëna dhe babai, të cilët bisedonin për djalin e tyre 19 vjeçar, të dy të shtrirë në divanin e dhomës së pritjes. Nëna kishte në dorë punën e dorës, ndërsa babai desh e theu telekomandën nga nervoza. Atij i pengonte gjallëria e Agonit që nëpërmjet rrjeteve sociale e ngacmonte pushtetin me kritika për zullumin e shtuar dita ditës. Ai punonte në administratën komunale dhe ishte i kënaqur me gjendjen aktuale në shoqëri.

Agoni ishte ishte student i dalluar në grup, pranë fakultetit të shkencave politike. Profesorët që ndonjëherë e kishin patur shpirtin si të Agonit, shpirt revulucionari që nuk bën kompromis me të keqen, kishin dëshirë të diskutonin me të për tema aktuale dhe tema politike. Ndërsa, profesorët tjerë, të varur nga politika e kundërshtonin ashpër, por ndonjëherë edhe e “këshillonin” të mos jetë kaq kritik. Kolegët e Agronit e mbështesnin në debate, por vetëm nëpër korridore dhe gjatë pushimeve me një zë të ulët duke i thënë: ‘Bravo Agon, shumë mirë ke folur!’ E ato tjerët që ishin fëmijë të funksionarëve qafëtrashë dhe të varur nga pushteti e quanin si jo shumë të shoqërueshëm, i thonin se është gabim, por shumicën e rasteve e injoronin.

19 vjeçari shumë aktiv në rrjetet sociale, një mëngjes u zgjua shumë i trishtuar pasi nata për të nuk kishte qenë e rehatshme. Ai kishte dëgjuar një debat të brendshëm, në mes ndërgjegjjes dhe fjalëve të ruajtura në kokë nga këshillat e prindërve për të mos qenë kaq i zëshëm me kritika. Duke shkuar rrugës për të ndjekur ligjeratat, ai thellë në zemër vendosi që do të jetë më i vendosur dhe më konkret në aktivitetin kundër të keqes, siç e quante ai. Ai nuk mundi të duroj presionin, frikën dhe kufizimet që i sillte pushteti nëpërmjet misionarëve, që një ndër to ishte edhe babai i tij.

Me një lloj dyshimi a të bashkangjitet me kolegët në ligjeratë apo të pres Artanin që të vinte në kafenenë e Universitetit, ai vendosi që për herë të parë në jetë të injoroj ligjeratat për një qëllim më të madh. E priti me shumë ankth Artanin dhe kur e pa fytyrën e tij ndjeu një çlirim në shpirt. Artanin e kishte takuar në një aktivitet nëpër Universitet dhe çuditërisht që në takimin e parë ata kishin biseduar për temat e njejta, për politikën dhe krimin e organizuar. Artani porositi kafe të fortë për të normalizuar mungesën e kafeinës. Agoni e shikoi në sy dhe troç i tha se duhet të flasin për diçka shumë serioze. Artani u shtang, dhe ashtu si pa instikt vazhdonte të përziejë kafen, pa mos e dalluar se sheqeri moti ishte tretur.

Në qytet filloi të flitet shumë për atë çka kishte ndodhur. Dikush me të madhe sulmonte dukuritë negative të shtetit dhe pushtetit. Qafëtrashët e pushtetit kishin filluar të shikonin portalet informative, nëse sot kishte dalë ndonjë e zezë për institucionin ku ata ishin përgjegjës. E ndërsa qafëtrashët kishin frikë mos të dilnin në pah të zezat e bëra, shumë të besuarit e tyre, tullacët që funksionojnë me urdhëra, nëpër qytet kërkonin ata që askush nuk e dinte se kush janë. Pra, ata ishin enigma e shumë kërkuar. Ata ishin armiku i ri i pushtetit, ishin e keqja e zhvillimeve që duheshte t’i bëjnë këto qeveritarë. Hataja ndodhi dhe të gjithë të zezat dolën në shesh. Ata kishin hapur një web faqe si një hapsirë publike ku qytetarët pa mos u identifikuar do tregonin të gjitha të zezat që i dinin.

Kjo web faqe ishte bërë shumë e famshme në qytet dhe çdo njeri e fliste nëpër kafene faktin se sa i guximshëm duhet të jesh që të mos kesh frikë presionet dhe shantazhet që do të vijonin pas kësaj lëvizje elektronike. Slogani që me shumë i përshtatej nismës qëndronte në web faqe, shkruante: Thonë se bima e budallallëkut nuk do të rritej, nëse nga asnjë i mençur nuk do të ujitej- Fatmir Muja. Kjo qasje e lirë e qytetarëve për të zbuluar krimet ekonomike bashkë me pa rregullsitë që i bënte qeverisja qendrore, lokale dhe institucionet e ndryshme ju dha zemër qytetarëve për të reaguar përballë çdo të keqjeje. Ju dha zemër edhe të sjellnin aty fotografi të administratorëve që silleshin si sherif lokal, të policisë që bënte shkelje ligji, të deputetëve që kalonin në të kuqen në semafor, por edhe ministrave që shisnin vendime pune.
Qyteti dhe qytetarët u zgjuan, policia vepronte sipas ligjit, qytetarët shërbeheshin sipas të gjitha rregullave, dokumentet nuk humbeshin nëpër raftet e administratës, gjyqi bënte ligjet si duhet dhe spitalet shëronin me shumë profesionalizëm. Gjithçka ishte në rregull dhe të gjithë ishin të kënaqur. Nga një tirani e vërtetë, këta qytetarë tani jetonin në një demokraci përmbajtësore ku gjithçka jo e rregullt ishte në këtë web faqe dhe nuk kalonte shumë kohë e gjithçka rregullohej duke normalizuar parregullsitë.

Artani ndaloi përzierjen pa instikt të kafesë dhe buzëqeshi lehtë. Agoni ishte skuqur duke folur dhe dukej si i liruar nga një barrë shumë e madhe që i rëndonte shpatullat. Kamarieri kishte vërejtur se në atë tavolinë diçka nuk është në rregull me njërin nga bashkëbiseduesit pasi ai lëvizte shumë çuditshëm përderisa fliste. Kur Agoni mbaroi, Artani i tha: ‘A je gati për të zgjuar këtë shoqëri?’ Agoni vetëm i buzëqeshi dhe së bashku u drejtuan kah laboratori teknologjik i universitetit për të ndryshuar të ardhmen e tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button