Edhe sa vite duhen që të funksionojë Qendra diagnostike?

Kanë kaluar 13 vite nga vendosja e themelit të Qendrës së re qendrës urgjente dhe diagnostike në Spitalin Klinik të Tetovës. Kanë kaluar 4 vite nga fillimi i rindërtimit në këtë qendër dhe ajo ende mbetet jo-funksionale. Madje, përkundër paralajmërimeve thuajse secilin gjashtë muaj se i njëjti do të bëhet së shpejti gati, nga spitali thonë se do të duhet ta presim 2014-tën si vit përfundimtar kur banorët do të mund të kontrollohen në këtë objekt.

“Fundi i muajit prill apo fillimi i muajit maj do të shënojë fillimin me punë të Qendrës së re qendrës urgjente dhe diagnostike në Spitalin Klinik të Tetovës. E tërë qendra do të përfundojë së ndërtuari në vitin 2014, në përdorim do të vihet këtë vit vetëm qendra diagnostike kurse qendra emergjente do të jetë gati në vitin e ardhshëm” thotë për PortAlb, Drejtori i spitalit Klinik të Tetovës Florim Besimi.

Për këtë vit janë lëshuar 40 milion denarë për ndërtimin e kësaj qendre dhe me këto mjete presim që ta kompletojmë tërësisht qendrën diagnostike, thekson ai.

“Punët janë në përfundim e sipër në  podrum dhe në katin përdhese kurse ende nuk janë përmbyllur në katin e parë, të dytë dhe të tretë. Tërësisht projekti do të përfundojë në vitin 2014 i Qendrës Emergjente dhe Diagonistike në kuadër të Spitalit Klinik të Tetovës”, deklaroi për PortAlb Florim Besimi.

Përgjegjës për objektin e ri të qendrës diagnostike dhe urgjente, është Ministria e Shëndetësisë. Problemi qëndron në faktin se ajo nuk ndan para të mjaftueshme, vite me radhë për tu përfunduar kjo qendër.

“Për aq mjete sa lëshohen aq punë kryhen në këtë qendër të re” thonë  për PortAlb kryerësit e punëve në këtë qendër.

Premtimet për hapjen e shpejtë të kësaj qendre i dëgjojmë që kur ishte ministër tani më zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani. Më pas ministri Todorov shpesh ka thënë se në afat prej dy muajve do të lëshohet në përdorim kjo qendër.

“Mund të them se është në përfundim e sipër një qendrën urgjente diagnostifikimi, i cili do të përmirësojnë dukshëm shërbimet mjekësore dhe presim që në muajin maj i njëjti të lëshohet në përdorim”, deklaroi Todorov më 26 mars 2012 në ambientet e Spitalit Klinik të Tetovës.

Nga kjo ministri janë të pakapshëm për prononcim. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button