Kosovë, nis hartimi i programit qeverisës

Grupet e punës të koalicionit të ri qeverisës në Kosovë, PDK-LDK, kanë nisur punën për hartimin e planit qeverisës katërvjeçar.

Të premten, në takimin e parë anëtarët e PDK-së dhe LDK-së janë takuar në ambientet e Kuvendit, por pa praninë e mediave dhe në fund nuk kanë pranuar as të flasin për atë që kanë diskutuar.

Gjithësesi, burime brenda takimit kanë treguar për Top Channel se partnerët janë pajtuar që të harmonizojnë premtimet e tyre zgjedhore dhe t’i shndërrojnë në një program qeverisës.

Të njëjtat burime kanë shpjeguar se programi do të finalizohet vetëm kur të dihet se kush do të jetë kryeministri që do të marrë përsipër zbatimin e programit.

Por teksa plani po hartohet, liderët e dy partive të koalicionit, që kryesojnë dhe grupin e përbashkët të punuë për ndarjen e posteve, nuk kanë zhvilluar të premten ndonjë takim.

Kjo, sepse Isa Mustafa ndodhet në Bruksel për çështje personale, ndërsa pas kthimit të tij pritet që partnerët të ulen për të ndarë pushtetin.

Për koalicionin e ri të arritur të enjten kanë diskutuar sot edhe kryetarët e degëve të PDK-së në një takim me Hashim Thaçin.

Sipas një komunikate të lëshuar pas takimit, kryetarët e degëve e mbështesin unanimisht koalicionin me LDK-në për themelimin e institucioneve.
/ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button