Gjithçka mbi familjen Jashari vjen në ekspozitë

Në sektorin e Historisë së Muzeut të Kosovës, veç kishin filluar përgatitjet për këtë ekspozitë. Motori i legjendarit Adem Jashari, e po ashtu edhe stemat dhe emblemat e UÇK-së po presin të ekspozohen.

Me rastin e festës së 28 nëntorit, festë kjo që asocon me datëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-ës në skenë, Muzeu i Kosovës dhe sektori i tij i Historisë ka përgatitur ekspozitën historike “Qëndresa heroike e Jasharëve për liri”, me artefakte të familjes legjendare Jashari. Autor i kësaj ekspozite është Sadik Krasniqi.
Krasniqi tregon për rëndësinë e kësaj ekspozite në po këtë datë siç është 28 nëntori, ku kjo festë tashmë ka dalë nga agjenda e shtetit të Kosovës.

“E kemi zgjedhur 28 nëntorin, për arsye se është një festë me të cilën jemi rritë bashkë, dhe njëkohësisht kemi emocione për këtë festë të rëndësishme historike kombëtare e cila tashmë ka dalë nga agjenda e shtetit të Kosovës. Prandaj, që kjo festë të mos mbetet e anashkaluar, ne vendosëm që me 28 ta mishërojmë dhe ti japim një aktivitet të rëndësishëm artdashësve. Heroizmi i Jasharëve dhe sakrifica e tyre është rast unik botëror. Familja Jashari daton që 300 vite në Prekazin e poshtëm dhe ka kontribuar në kontinuitet. Shaban Jashari, kreu i kësaj familje ka qenë frymëzuesi kryesor i familjes por edhe udhërrëfyes i tërë Drenicës”, tha ndër të tjera autori Krasniqi.

Në sektorin e Historisë së Muzeut të Kosovës, veç kishin filluar përgatitjet për këtë ekspozitë. Motori i legjendarit Adem Jashari, e po ashtu edhe stemat dhe emblemat e UÇK-së po presin të ekspozohen.

E sipas drejtorit të Muzeut të Kosovës, Arsim Mehmetit, kjo ekspozitë është një rast unik që brezat e rinj të njihen më të kaluarën tonë.

“Ekspozita i dedikohet qëndresës heroike të Jasharëve në Prekaz për një dekadë me radhë ndaj serbëve, deri në rënien heroike të tyre. Mesazhi që jep kjo ekspozitë përveç që ruan këto artefakte është edhe për ti vetëdijësuar brezat tanë për heroizmin e Jasharëve, sakrificën e tyre që mobilizoi gjithë shqiptarët rreth botës, e cila solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi Mehmeti.

Ekspozita përmban mbi 100 eksponate të familjes Jashari, me motive nga puna, bujqësia, inxhinieria., etnokultura, tradita, gjenocidi ndaj shqiptarëve dhe qëndresa heroike e tyre, dhe në fund me kthimin e pjesës tjetër të Jasharëve nga Gjermania. Krahas këtyre do të ketë edhe figura të 59 dëshmorëve në familjen e gjerë të Jasharëve, dhe në fund një film dokumentar. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit dhjetor. / KultPlus.com

Lajme të ngjashme

Back to top button