Milano, derbi i tifozëve

Derbi i Milanos është mbi të gjitha derbi i tifozëve. Përtej rivalitetit mes dy prej ekipeve më të titulluara në Itali, Milan-Inter është sfida që ka fituar popullaritet dhe për ngjyrat e koreografitë e tifozëve. Në njërin krah, atë veriorë qëndrojnë tifozët zikaltër të Interit e në krahun jugor, ata kuqezinj të Milanit.

Në Itali, një ndër aspektet më interesantë të futbollit janë dhe koreografitë, që pak praktikohen në vende të tjera të perëndimit, duke qenë deri diku një thurje mes kulturës artistike të italianëve dhe dashurisë për lojën.

Rivalitet por jo urrejtje, ironi por jo dhunë. Milanezët dinë sesi ta shijojnë një derbi, që për ta është pak a shumë një pasarelë, ku ata shpalosin me shumë hijeshi, stilin dhe modelin e tyre të të mbështeturit të skuadrës së zemrës duke i bërë tifozët të jenë një pjesë e pandashme e kësaj sfide, aq shumë madje sa të dyja këto tifozëri janë po aq të njohura sa dhe dy klubet e tyre.

Të shumtë janë madje dhe tifozët e botës së politikës, artit e spektaklit që mbështesin Milanin e Interin. Por përtej mënyrës së moderuar e të kulturuar në përkrahje të ekipeve të tyre, diçka mbetet e përbashkët ashtu si në çdo derbi tjetër të botës dhe për atë të Milanos, rezultati përfundimtar. Në këtë pikë as tifozët e Interit dhe as ata të Milanit nuk firmosin për barazimin.

Lajme të ngjashme

Back to top button