Rrëzimi i bustit të Enverit, operatori padit TVSH-në

Pamjet filmike të momenteve të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, më 20 shkurt 1991, janë bërë objekt i një përballjeje gjyqësore në Gjykatën e Tiranës.  Shkak për padinë është bërë regjistrimi i të drejtës së autorit për këtë video nga Fatmir Çepani, kameramani i RTSH -së, që regjistroi momentin historik të rrëzimit të bustit të ish-diktatorit, shkruan Panorama.

Palë në këtë proces gjyqësor ishin Radio Televizioni Shqiptar dhe Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit (ZSHDA) dhe palë e tretë kameramani Çepani. Përmes një padie të depozituar në nëntor 2011, RTSH i kërkonte ZSHDA-së të deklaronte të pavlefshme certifikatën e regjistrimit për veprën videogram “20 shkurti, rënia e bustit të Enver Hoxhës” dhe çregjistrimin e të drejtës së autorit të veprës.

Pas 17 seancash gjyqësore, çështja është zgjidhur me pajtim mes palëve. Marrëveshja mes RTSH-së dhe Fatmir Çepanit dhe me pëlqimin e Zyrës Shqiptare për të Drejtat e Autorit u miratua nga Gjykata më 7 korrik 2013.

KUSHTET
Në marrëveshje përcaktohen gjashtë kushte, të cilat duhet të respektohen nga palët. Kështu, RTSH e njeh si vepër audiovizuale, nën titullin “20 shkurti, rënia e bustit të Enver Hoxhës”, me autor Fatmir Çepanin, i cili zotëron certifikatën e regjistrimit pranë ZSHDA për këtë qëllim. Çepani i jep RTSH-së të drejtën për përdorimin e pamjeve. “Autori i jep te drejtën për të transmetuar dhe ritransmetuar veprën, objekt i kësaj marrëveshjeje, për ta përdorur këtë vepër dhe si pjesë e reklamave, lajmeve apo filmave dokumentarë që prodhohen, transmetohen vetëm nga Radio Televizioni Shqiptar”, thuhej në marrëveshje. Çepani ia jep këtë të drejtë RTSH-së pa shpërblim, të pakufizuar në kohë dhe në numër transmetimesh. Por, sipas marrëveshjes, kjo e drejtë mund të shfrytëzohet nga RTSH vetëm për ekranin e tij. “Autori nuk kufizohet në të drejtën për të autorizuar përdorimin e veprës nga televizione te tjera për qëllime, që autori i konsideron të pranueshme”, thuhej në marrëveshje, ndërkohë që në çdo transmetim RTSH duhet të përdorë emrin e tij në titra. Përmes marrëveshjes së miratuar nga gjykata, RTSh nuk lejohet të autorizojë përdorimin e kësaj vepre nga të tretët pa autorizimin e autorit.

E drejta e autorit
Fatmir Çepani, operator në Radio Televizionin Shqiptar, regjistroi pamjet e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës në shkurt 1991. Më 31 tetor 2007, ai ka marrë certifikatën e regjistrimit pranë ZSHDA për këto pamje, çka e ligjërojnë atë si pronar të tyre. Nga ZSHDA, ai është regjistruar si autor i veprës videogram “20 shkurti, rënia e bustit të Enver Hoxhës”.

Lajme të ngjashme

Back to top button