OEMVP nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Odën Ekonomike të Beneventos nga Italia

OEMVP sot në hapësirat e saj, mirëpriti delegacionin nga Italia, gjegjësisht përfaqësuesit nga Oda Ekonomike e Beneventos, me çka nënshkroi dhe një memorandum për bashkëpunim në të ardhmen.

Qëllimi i organizimit të këtij takimi është zgjerimi i fushës së bashkëpunimit mes dy shteteve apo me saktë mes dy Odave ekonomike.

Ky delagacion u udhëhoq nga Kryetar i Odës Ekonomike të Beneventos z.Antonio Kampeze, këshilltari rajonal dhe njëkohësisht kryetar i Asosacionit për ndërtimtari në Kampanji, z.Xhuzepe Pelegrino, z.Biaxho Diço, këshilltar në bankën më të madhe në Itali CRS Asti dhe njëkohësisht kryetar i Asosacionit më të madh për ndërtimtari në Itali, z.Xhuliano Martino këshilltar në sferën e agrikulturës në Odën Ekonomike të Beneventos dhe këshilltari për shërbime të firmave të Odës Ekonomike të Beneventos, z. Alberiko Porkaro.

Nikoqirët e OEMVP-së i mirëpritën ngrohtë dhe biseduan gjatë rreth mënyrës se si funksionon Oda jonë nga themelimi e deri më sot, sfidat me të cilat përballet, mënyra e udhëheqjes me kompanitë anëtare, raportet me anëtarët, odat tjera ekonomike, qëllimi dhe mundësitë për zgjerim që ka në të ardhmen etj. Andaj ky takim nga Kryetari Menderes Kuçi u cilësua si mjaft i dobishëm dhe frutdhënës për të dyja palët. Kryetari ndër të tjera theksoi se zemra e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore nuk është e ngushtë dhe ka vend për të gjithë, posaçërisht për miqtë tanë të kahmotshëm italianë me të cilët ngjasojmë si popull në më shumë sfera.

Edhe Oda ekonomike e Beneventos njejtë si OEMVP kryesisht ishte e përqëndruar te kompanitë e vogla dhe të mesme dhe kjo ishte pika kyçe me të cilën u dakorduan të dy kryetarët e Odave që u takuan sot, duke vënë theks të veçantë se pikërisht biznesi i vogël dhe i mesëm është palca e shoqërisë sonë dhe aty duhet të mbetet i përqëndruar fokusi jonë.
Pas nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim, Delegacioni u nis për në Tetovë, ku si pjesë e agjendës ishte dhe vizita e Zonës së Lirë Ekonomike të Tetovës , për të cilën u diskutua edhe gjatë takimit. Në fund të ditës, në një nga restorantet e qytetit do të shtrohet një darkë e përbashkët për afaristët italianë dhe afaristët tanë.

Lajme të ngjashme

Back to top button