Suedi, Apeli refuzon revokimin e mandatarrestit për Assange

Një gjykatë Apeli në Suedi ka lënë në fuqi mandat-arrestin kundër themeluesit të “Wikileaks”, Julian Assange, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për hetime mbi një rast agresioni seksual.

Gjykata e Apelit refuzoi apelimin e Assange për revokimin e urdhër-ndalimit të lëshuar ndaj tij në vitin 2010. Assange, i cili mohon akuzat, ka gjetur strehim në Ambasadën ekuadoriane në Londër, në mënyrë që të shmangë ekstradimin.

Nëse ai dërgohet në Suedi, ai thotë se i frikësohet akuzave në SHBA për nxjerrjen e dokumenteve sekrete qeveritare. Dy gra në Suedi e akuzojnë atë për sulm seksual.

Vendimi i së enjtes nga gjykata vendosi pas apelimit që i ishte bërë një vendimi të ngjashëm nga një gjykatë më e ulët.

“Nuk ka asnjë arsye që të lëmë mënjanë ndalimin e tij, vetëm sepse Julian Assange ndodhet në një Ambasadë dhe urdhër-ndalimi nuk mund të ekzekutohet në momentin aktual për këtë arsye”, bëri të ditur përmes një deklarate Gjykata e Apelit “Svea” në Stokholm.

“Arsyet për ta ndaluar atë janë ende dominuese ndaj lirimit të tij, për sa kohë që Julian Assange dyshohet për krime të natyrës relativisht serioze, madje ekziston edhe një rrezik i madh që ai të shmangë procedurat ligjore apo ndëshkimin nëse urdhër-arresti lihet mënjanë”.

Qeveria ekuadoriane i ofroi azil themeluesit të “Wikileaks” në vitin 2012, pasi Gjykata Supreme e Britanisë së Madhe refuzoi të rihapte apelimin e tij ndaj ekstradimit.

Assange nuk është dënuar formalisht në Suedi, por prokurorët kërkojnë ta marrin në pyëtje atë mbi akuzat e sjelljeve të gabuara seksuale dhe përdhunimit, që kanë lindur nga dy gra me të cilat ai është takuar gjatë një vizite në vendin skandinav gjatë vitit 2010.

Assange i mohon akuzat, por thotë se ato janë vetëm pjesë e fushate baltosjeje ndaj tij. Ai i frikësohet faktit se, nëse ekstradohet në Suedi, ai do të ekstradohet më pas në Shtetet e Bashkuara, ku mund të përballet me akuzat për publikimin e mijëra dokumenteve sekrete nga “Wikileaks”.

Chelsea Manning, një ish-ushtar amerikan që më parë njihej si Bradley Manning, u dënua me 35 vjet burgim në SHBA për kalimin e dokumenteve në duart e “Wikileaks”. Vjedhja e tyre shkaktoi shqetësime intensive ndaj SHBA-ve, në lidhje me qeveritë e vendeve të tjera të prekura prej këtyre dokumenteve. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button