Rusia SHBA-së: Mos armatos Ukrainën!

Rusia ka thënë se furnizimi me armë i Ukrainës nga Shtetet e Bashkuara do të ishte “faktor destabilizues”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Aleksandr Lukashevich, i ka bërë këto komente sot, një ditë pasi një ndihmës i lartë i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se Uashingtoni duhet të rishikojë politikën e tij të mosofrimit të ndihmës vdekjeprurëse për Ukrainën, e cila po lufton separatistët pro-rusë në lindje.

“Nëse ka ndryshim të politikës, atëherë mund të flasim për një faktor serioz destabilizues, i cili mund të ndikojë seriozisht në balancën e forcave në rajon”, ka thënë Lukashevich.

Tony Blinken, zëvendëskëshilltar për sigurinë kombëtare, ka përmendur “shkelje serioze” të Marrëveshjes së Minskut nga Moska.

Marrëveshja, e nënshkruar nga Rusia, Ukraina dhe rebelët, ka vendosur armëpushim dhe ka përcaktuar hapat drejt paqes.

Blinken ka thënë se ndihma vdekjeprurëse për Kievin mund ta nxisë Moskën “që të mendojë dy herë dhe të përmbahet nga veprimet e mëtejshme”.

NATO akuzon Rusinë për dërgimin e tankeve dhe trupave në lindje të Ukrainës, për të mbështetur separatistët atje./REL

Lajme të ngjashme

Back to top button