Doris Pack: Jam e lumtur për koalicionin PDK-LDK

Ishe eurodeputetja gjermane dhe mikja e madhe e Kosovës Doris Pack ka përshëndetur koalicionin e arritur mbrëmë midis LDK-së dhe PDK-së për bashkëqeverisje.

Në një intervistë ekskluzive për RTK- Radio ajo tha se ky koalicion do ti ofrojë vendit një qeveri stabile. Një vend që është kaq i brishtë si Kosova, kërkon një qeveri me mbështetje të fuqishme parlamentare, për të përballuar sfidat e shumta që ka përpara, siç është dialogu me Serbinë, që duhet vazhduar, pastaj dhe shumë angazhime dhe obligime tjera ndërkombëtare që Kosova ka marrë përsipër.

RTK Radio: Zonja Pack, në Kosovë kemi një zhvillim të ri: LDK dhe PDK janë marrë vesh për bashkëqeverisje. Si e vlerësoni ju këtë hap?

Doris Pack: Besoj e di çdo kush se unë ka disa muaj që kam preferuar një koalicion të tillë midis LDK-së dhe PDK-së, sepse dëshiroj që Kosova, të ketë një qeveri stabile, e cila do të përbëhet së paku nga katër parti, përfshirë këtu dhe minoritetet. E kam thënë dhe po e përsëris prapë, se Kosova duhet të ketë një kryeministër që vjen nga parti politike që ka fituar më shumë vota se 9 për qind në zgjedhjet e 8 qershorit. Për më tepër jam shumë falënderuese që tashmë PDK-ja dhe LDK-ja janë bërë bashkë në një koalicion të madh dhe ajo që unë dëshiroj tani është që ata të veprojnë pa as një vonesë në formimin e institucioneve, sepse siç e dimë të gjithë është humbur shumë kohë. I gjithë ky proces që ka zgjatur për muaj të tërë, ka mundur të kryhej sikur kjo ide të ishte ndjekur që në fillim. Sidoqoftë, jam e gëzuar që kjo ndodhi më në fund dhe dëshiroj të uroj të dy liderët për fitoren e arsyes.

RTK Radio: Ju keni qenë e vetmja qe vazhdimisht keni kërkuar koalicion të madh. E keni thënë edhe në intervistën tonë të mëhershme. Por tani kur kjo ka ndodhur, ka disa njerëz që thonë se koalicioni i madh do ta dëmtojë demokracinë në Kosovë. Mendoni se mund të dëmtohet demokracia?

Doris Pack: Kjo është marrëzi. Mendoni se ne në Gjermani që kemi koalicionin e madh nuk paskemi demokraci?! Një vend që është kaq i brishtë si Kosova, kërkon një qeveri e cila ka prapa një mbështetje të fuqishme parlamentare, sepse vendi ka shumë sfida përpara, siç është dialogu me Serbinë, që duhet vazhduar, pastaj dhe shumë angazhime dhe obligime tjera ndërkombëtare që i keni marrë përsipër. Është shumë mirë që tani dy partitë së bashku do të kenë një mbështetje të fuqishme nga shumica parlamentare dhe të bëjnë hapat e duhur në drejtim të përparimit, për të cilin vendi ka shumë nevojë. Prandaj po e përsëris edhe një herë: jam shume e lumtur që kjo çështje mori këtë përfundim.

RTK – Radio: Në qeverinë e re do jenë edhe minoritet. Mendoni se kjo do të forcojë legjitimitetin e saj ndërkombëtar?

Doris Pack: Natyrisht që minoritete duhet të jenë pjesë e Qeverisë. Kjo është dëshmi para botës për trajtimin e mirë të minoriteteve që jetojnë në vend. Përveç kësaj, kjo do tu japë atyre siguri dhe do tu dëshmojë se janë të mirëpritur si bashkëqytetarë./ RTK

Lajme të ngjashme

Back to top button