Toka jonë, kjo strehë e injorancës!

Mungesa e dijes të shpie tek mosrespekti, ndërsa  mungesa e respektit të shpie tek injoranca. E ne ushqehemi me frutet e injorancës nga plaku e gjer te më i riu, nga doktori i shkencës e gjer te analfabeti, nga politikani gjer te bujku, e nga puntori gjer te studenti. E derisa mosdija është nëna e të këqijave, këtu prodhohet analfabetizëm dhe si rezultat i kësaj shpërblehemi me një letër të ashtuquajtur ‘diplomë’. Fakt tronditës, por i vërtet! Dija as nuk dëshmohet me indeks e as me diplomë. Ajo rritet si një bimë brenda nesh, duke e kultivuar, përveç se me lexim edhe me edukatë e kulturë.

Kot i themi vetës intelektualë, kur në zemrat tona buron injoranca, kot i themi vetës studentë, kur nuk na zihet besë, kot i themi vetës punëtorë, kur paga jonë është më e rendësishme se shumëçka tjetër dhe kot i themi vetës profesorë, kur dijen mundohemi ta ‘shesim’ përmes librave, që studentët janë të detyruar t’i blejnë. Gjithçka është e kotë, kur interesi jonë personal, është superiori dhe kur nuk mendojmë dy herë për dëmin që mund t’ua shkaktojmë të tjerëve. Edhe interesi është injorancë!

Ne ujisim prapambeturinë, cinizmin, ne nuk e duam askënd mbi ne! Ne jemi ata ‘mbretërit’ e Ahmet Zogut(që ky i quan të tillë në bisedë me mbretin e Egjiptit). Ne jemi ata të cilët çdo gjë dëshirojmë ta bëjmë vet, por nuk dijmë as nga t’ia fillojmë! Ne nuk e duam as vetën, ne nuk përfillim zgjuarsinë, urtësinë e të devotshmën. Ne nuk i bëjmë dobi vetës, por çajmë kokën për ‘punë të hallkut’ e thashetheme! Thjesht, ne jetojmë për të tjerët! E të mos jetosh për vete, duke kaluar kohën me bëmat e të tjerëve e vë në jetë injorancën!

Ne shtrembërojmë të vërtetën, neve na dhemb suksesi. Ne nuk e duam dështimin, por kënaqemi kur të tjerët dështojnë! Ne vuajmë, duke mos e ditur se çfarë na mundon, përbuzim të mirat që na rrethojnë, duke akuzuar të tjerët. Ne nuk i duam të suksesshmit edhe pse gjithmonë, ëndërrojmë të jemi si ata. Ne jemi ekspertë të gjithçkaje, pra nuk jemi asgjë!

Ne nuk e kemi idenë se çfarë duam dhe shpresojmë në ditë më të mira, gjykojmë të kaluarën tonë dhe veprat tona, në vend se të kemi vizion për të ardhmen. Ne mund të bëjmë gjithçka, por nuk mund të mbajmë asgjë. Ne e duam lirinë dhe e groposim dita ditës, ne e duam dritën, por jetojmë në terr.

Ne, të gjitha ja lëmë në dorë fatit dhe e ëndërrojmë parajsën, por çdo ditë e jetojmë ferrin!

Lajme të ngjashme

Back to top button