Serbët, kallëzim penal kundër Ivica Daçiqit për marrëveshjen e Brukselit

Përfaqësuesit e partive opozitare në veri të Kosovës, njoftuan se do të ngrenë kallëzim penal kundër ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, për shkak të nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit me Prishtinën zyrtare.

Ata kërkuan që Gjykata Kushtetuese e Serbisë të sjell sa më shpejt një vendim rreth kushtetutshmërisë së shpërbërjes së katër komunave në veri të Kosovës.

“Kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë të kryej funksionin e saj dhe t’iu përgjigjet ankesave tona mbi çfarë baze ligjore janë të organizuara institucionet e përkohshme (në katër komunat) dhe pse ato janë ende në fuqi, ani pse dy mandatet e tyre kanë përfunduar”, tha nënkryetari i të ashtuquajturit “Kuvendi i Kosovës”, Dobrosav Dobriq, gjatë një konferencë për shtyp në Beograd, transmeton Telegrafi.

“Kuvendi i Kosovës” kryesisht përbëhet nga përfaqësuesit e katër komunave veriore të Kosovës, por të cilin nuk e njeh Qeveria e Serbisë.

Dobriq njoftoi se në nga seancat e radhës të “Kuvendit të Kosovës”, do të nisë një peticion rreth një akuze penale kundër Daçiqit, me pretekstin, siç thotë ai, “tradhti të lartë kombëtare “, të kryer me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, më datën 19 prill 2013, në Bruksel.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe atëkohë, kryeministri serb, Ivica Daçiq.

Qeveria e Serbisë ka mbështetur pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës të organizuar nga autoritetet shtetërore të Kosovës, me ç’rast u formuan edhe institucionet e këtyre katër komunave në veri të Kosovës. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button