Ambasadori Zhenshun ftoi kryetarin Ahmeti për vizitë zyrtare në Kinë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur në një takim pune në selinë e partisë në Tetovë, ambasadorin e ri të Kinës në Maqedoni, Wen Zhenshun.

Ambasadori i Kinës shprehu interesim për zhvillimet politike në vend, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sundimin e ligjit. Bashkëbiseduesit gjithashtu diskutuan edhe për projekte konkrete infrastrukturore si dhe mundësitë për investime kineze në Maqedoni.

Kryetari Ahmeti uroi ambasadorin Zhenshun për detyrën e re dhe falëmnderoi autoritetet kineze për interesin e shprehur në ndërtimin e një shkollë dhe foshnjoreje në komunën e Tetovës si dhe për gatishmërinë e angazhimit të kompanive vendase në ndërtimin e Koridorit 8.

Ambasadori Zhenshun theksoi rolin e rëndësishëm që ka Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni dhe ftoi kryetarin Ahmeti për vizitë zyrtare në Kinë.
Kryetari Ahmeti foli për zhvillimet politike në vend duke theksuar nevojën e madhe të arritjes së një kompromisi me fqiun jugor rreth kontestit të emrit që do të zhbllokonte proceset integruese.

Gjithashtu, Ahmeti foli edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit si dhe frymës që bart ky dokument paqësor, por edhe për dallimet në interpretimin e dispozitave kushtetuese dhe ligjore për gjuhën zyrtare shqipe.

Në lidhje me sundimin e ligjit, kryetari Ahmeti foli për nevojën e transparencës dhe sjelljes së vendimeve pa ngarkesa etnike nga ana e Gjykatësve dhe Prokurëve sepse vetëm kështu rikthehet kredibiliteti i lëkundur i gjyqësorit në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Back to top button