Si të gënjesh me statistikat…frymëzuar nga reklamat e Qeverisë së Maqedonisë

Ministrat e arsimit në mbarë botën dridhen përballë prospektit të OECD lidhur me performancën akademike të adoleshentëve 15 vjeçarë në dhjetëra shtete (PISA). Ata që dalin me rezultate të mira i pret lavdia, ata që nuk dalim mirë, jo dhe aq. Rangimi i parë PISA u publikua në vitin 2001 dhe Gjermania kishte ndër rezultatet më të dobëta. Kjo në Gjermani u trajtua me krijimin e një fondi për reformat shkollore prej 4 miljardë EURO me qëllim që rangimi i ardhshëm të dalë më i mirë. Në një shkallë të ngjashme influence është edhe indeksi Doing Business i Bankës Botërore (sa prezent e kemi këtë indeks). Indekse të tilla që rangojnë çështjet sociale dhe politike në vende të ndryshme duke kombinuar një numër të konsiderueshëm të matësve në një indeks të vetëm, po shijojnë një bum kohëve të fundit. Vetëm 15 vitet e fundit numri i indekseve të këtilla ka shkuar nga rreth 80 në vitin 2000 në mbi 150 në vitin 2014. Numrat dhe rangimet e këtilla kapin vëmendjen e lexuesve dhe ndihmojnë në procesimin e informatave.

Indekset më të mira janë tepër të përpikta. PISA përshembull kombinon dhjetëra matës dhe nënmatës të standardizuar të bazuara në statistika të përpikta. Por të tjerat janë të bazuara në të dhëna të dyshimta që janë të kalkuluara ndryshe për vende të ndryshme. “Hajdutët i dijnë të gjithë truket; njerëzit e ndershëm detyrohen t’i përdorin ato në vetëmbrojtje”, shprehje nga Darrell Huff në librin e tij të vitit 1954 “Si të gënjesh me statistikat”, një guidë për të bërë që numrat të pasqyrojnë atë që ju doni të pasqyroni. Indekset dhe të dhënat statistikore jo gjithmonë janë të bazuara në metodologji statistikore të mirëfillta; mund të mos jenë dhe aq pedante, me populacione të paqarta, të dhëna të vjetëruara dhe shpesherë të gjeneralizuara. Nëse numrat nuk japin rezultat e kërkuara, atëherë mund të shfrytëzohet “opinioni i ekspertëve” nga akademikë dhe biznesmenë të serviziluar për t’i shërbyer kauzës. Nëse të gjitha këto nuk japin rezultatet e dëshiruara, atëherë mund të shkarravitet me metodologjinë e përpunimit të të dhënave duke ndryshuar rëndesën e indikatorëve të ndryshëm përbërës të indeksit për të nxjerrë rezultatin e dëshiruar.

Indekset e shumta, nga indekset për vuajtjet njerëzore tek perceptimi i korrupsionit, nga liria e shprehjes në keqpërdorimin e fëmijëve, tregon në atë që sot e kësaj dite asnjë problem i paramendueshëm social nuk është pa indeksin e vet. Qeveritë, politikanët dhe think-tankat te indeksat gjejnë qartësi dhe thjeshtësi; kur ato krijohen në mënyrë të drejtë dhe pa hile, mund të zbulojnë mangësi dhe të sugjerojnë zgjidhje për politikat apo çështjet e ndryshme sociale dhe ekonomike. Por cilave t’ju besohet e cilave nuk mund t’ju besohet? A mund t’i besohet Doing Business të Bankës Botërore. Ajo që këtë indeks e bën të dëshirueshëm për të gjitha qeveritë e botës që rangojnë mirë, përfshirë edhe vendin tonë, është kredibilitieti që ky indeks gëzon si rezultat i asaj që krijohet nga një institucion si Banka Botërore. Kush nuk do i besonte një indeksi që vjen nga institucioni më i madh financiar botëror, apo?

Gjëja e parë që duhet të kuptohet lidhur me këtë indeks është fakti që rangimi i shteteve bëhet në bazë të mbrojtjes që ata ju bëjnë investitorëve dhe kompanive të ndryshme. Rrjedhimisht binomi Gruevski-Stavrevski na bëjnë budallenj të gjithëve kur proklamojnë me pompozitet faktin që Maqedonia rangohet e 23-ta në listën e Bankës Botërore. Sepse ky indeks në asnjë moment nuk pasqyron mirëqenien e popullsisë në një shtet të caktuar. Gjëja e dytë që duhet patur parasysh lidhur me këtë indeks është kjo: që ky indeks studion ligjet dhe regulacionet, bazuar në të dhënat dhe dëshmitë e zyrtarëve shtetërorë, biznesmenëve, akademikëve dhe ekspertëve të fushave të ndryshme. Ajo që këtu është shqetësuese është që metodologjia është e gabuar: sepse realisht nuk bazohet në të dhëna empirike të vërtetuara nga institucione të pavarura, por nga dëshmi dhe vërtetime të individëve të cilët kanë vlerësimet e tyre personale lidhur me çështje të ndryshme. Problemi i tretë i madh i këtj indeksi është fakti që në kalkulimin e tij nuk bëjnë pjesë faktorë të rëndësishëm si: stabiliteti politik dhe shoqëror, niveli i ngritjes teknologjike dhe niveli i arsimimit në një shtet. Përqëndrimi kryesor i këtij indeksi është në vlerësimin e lehtësisë së krijimit dhe veprimit të një biznesi në një vend parë nga aspekti administrativo – juridik. Si shembull po e marr këtë: njëri nga nënindekset e Doing Business është kohëzgjatja dhe kostoja e regjistrimit të një kompanie të caktuar. Mënyra se si Maqedonia mund të marrë notë të lartë, është fakti që ka të rregulluar me akte dhe nën akte juridike sistemin e një shallteri. Për Bankën Botërore nuk është e rëndësishme të analizojë vërtetësinë e këtij sistemi se a funksionon me të vërtetë, por e rëndësishme është që për këtë çështje ekziston legjislacioni.

“Ka gënjeshtra, ka gënjeshtra të rënda dhe përfundimisht ka statistika”, frazë kjo që mund të përshtatet me këtë që kam shkruar, por nuk do ta përdorja sepse shpeshherë citohet nga idiotë sa herë që përmendet fjala statistikë. Vlerësimi im është se matematika nuk është fajtore për mënyrën se si njerëzit e përdorin atë për të shtrembëruar të vërtetën. Ajo që është e rëndësishme të kuptohet nga këto 900 e ca fjalë është që të mundohemi të njohtohemi sa më shumë që është e mundur me metodologjinë e krijimit të indekseve si Doing Business në mënyrë që herën tjetër kur të vijnë politikanët e të na mbledhin në mitingun te sheshi i qytetit apo para përmendores qoftë të Lekës apo të Skënderbeut, të dijmë të vërtetën e të mundemi t’ju mveshim nga një shuplakë fytyrës kur të mundohen të keqpërdorin statistikën.

(frymëzuar nga reklamat e Qeverisë së Maqedonisë)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button