Në “Arseni Jovkov”, me çdo kusht rruhen paralelet maqedonase

Drejtoresha e shkollës ekonomike “Arseni Jovkov”, insiston që të ruajë me çdo kusht numrin e paraleleve në gjuhën maqedonase, pavarësisht mungesës së nxënësve maqedonas, transmeton Alsat.

Sipas burimeve tona, në dy paralele të vitit të parë në gjuhën maqedonase, i 11 dhe I 12, nuk është regjistruar asnjë nxënës për ndjekjen e mësimit. Pavarësisht se dy klasa janë bosh dhe 10 të tjera me numër të gjysmuar nxënësish, krahasuar me klasat shqiptare, drejtoresha nuk e ka ndërmend t’i mbyllë paralelet në gjuhën maqedonase e as të heq dorë nga hapësirat ose numri i profesorëve. Përderisa në gjuhën maqedonase mësimi zhvillohet në klasa të zbrazëta, në klasat shqiptare grumbullohen mbi 40 nxënës, gjë që e bën të pamundur zhvillimin normal të procesit mësimor. Ndërkohë drejtoresha e Shkollës së Mesme Ekonomike “Arseni Jovkov” Jovanka Asparovska vazhdon t’i shmanget ballafaqimit me televizionin Alsat M, për kushtet e pabarabarta të zhvillimit të mësimit për nxënësit shqiptarë dhe ata maqedonas në këtë shkollë. Asparovska nuk e konfirmoi, por as e mohoi se në dy paralele maqedonase nuk është regjistruar asnjë nxënës, madje ajo vazhdon t’i konsiderojë si paralele funksionale.

“Unë përmes telefonit nuk jap asnjë informatë. Sot jam jashtë shkollës, nesër e tutje mund të takohemi. Përmes telefonit nuk jap asnjë informate”, deklaroi Jovanka Asparovska, drejtoreshë e shkollës ekonomike “Arseni Jovkov”.

Nga ana tjetër, përgjegjësi për paralelet shqipe Nazmi Ramani tha para ca ditësh për Alsat se drejtoresha nuk lejon qasje tek të dhënat për numrin e nxënësve në paralelet maqedonase.
“Problem kemi me vlerësimin real të nxënësve. Pasi jam ndihmës drejtor vetëm për paralelet shqipe, atëherë të dhëna të sakta për numrin e nxënësve në paralelet maqedonase nuk kemi mirëpo besojë që kushtet janë më të mira dhe kanë hapësirë më shumë pasi numri i nxënësve nëpër klasa është shumë i vogël se sa në paralelet me mësim në gjuhën shqipe”, u shpreh Nazmi Ramani përgjegjës në SH.M Arseni Jovkov.

Lajme të ngjashme

Back to top button