Një gjyq kundër Koresë së Veriut

Komisioni i të Drejtave të Njeriut në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së i kërkoi Këshillit të Sigurimit t’ia referojë Korenë e Veriut Gjykatës Ndërkombëtare Penale, përpara së cilës vendi i izoluar të përgjigjet juridikisht për shkeljet masive të të drejtave të njeriut.

Këtë dikton rezoluta e aprovuar së fundi, që kërkon hetim mbi krimet e regjimit të Penianit kundër njerëzimit. Nuk është ende e qartë nëse ICC-ja (me seli në Hagë) do ta shqyrtojë këtë rast.

Vetë shteti komunist i hedh poshtë të gjitha akuzat dhe veten e sheh si pjesë të një komploti të iniciuar nga SHBA. Me sa duket, Peniani kishte kërkuar mbështetje edhe nga Rusia. Sipas agjencive të lajmeve, qenë planifikuar biseda me Presidentin rus Putin dhe me ministrin e Jashtëm, Lavrov.

Bazë për iniciatën e bashkësisë ndërkombëtare kundër udhëheqjes së Koresë së Veriut është raporti i një komisioni të posaçëm të OKB-së, të ngritur për këtë qëllim, që u publikua në fillim të vitit.

Në të përshkruhet në mënyrë të detajuar si është ndërtuar sistemi i kampeve të të burgosurve, si torturohen atje sistematikisht njerëzit, si përdhunohen gratë e vajzat, e si ekzekutohen personat e ndaluar.

Megjithatë, vendimi i Komisionit të të Drejtave të Njeriut nuk do të thotë patjetër se udhëheqjes koreano-veriore do t’i organizohet vërtet proces gjyqësor në Hagë. Vetëm Këshilli i Sigurimit të OKB-së e ka kompetencën t’ia paraqesë çështjen Gjykatës Ndërkombëtare Penale, por në të, krahas Rusisë, ndodhet edhe aleati më i rëndësishëm i Koresë së Veriut, Kina.

Për ta bllokuar iniciativën e Komisionit të të Drejtave të Njeriut, mjafton vetoja e njërit prej tyre. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button