Lindja in vitro e kombit

(Allahu) tha: “Ik! Kushdo prej tyre që të pason ty, do të ketë Xhehenemin si shpërblim – një shpërblim i plotë. Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! -Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.   (El Isra, 63-64)

Thonë që, para se tërmeti të ndjehet nga njerëzit, të parët që e ndjejnë janë insenktet, minjtë, urithët, pra, gjallesat e nëntokës. Të gjithë dalin mbi sipërfaqe dhe vlojnë në ikje. Ky fenomen, jo se ka kuptimin e përcjelljes së informacionit deri te njerëzit që të marrin masa kundër tërmetit që po vjen, por, thjesht, është instikti kafshëror për shpëtim nga një rrezik që po u kanoset.

Sinjale

Kështu disi sillen edhe politikanët e Maqedonisë sa herë që do ta ndjejnë valën goditëse  për zgjedhje “të papritura” parlamentare apo lokale. Është punë e tyre, ngjashëm siç është punë e tyre edhe reagimi instiktiv i gjallesave nëntokësore në prag të tërmeteve apo fatkeqësive natyrore. Në këtë krahasim jo të qëllimshëm, megjithatë, është njerëzore që të nënvizohet një dallim: në reagimin e nëntokësorëve nuk ka mashtrim, nuk ka cinizëm, nuk ka sarkazëm, nuk ka djallëzi, ndërsa reagimi i mbitokësorëve në rastin e “tërmeteve socio-politike” është, në njëfarë forme, refleks i zgjatur nga fabula e bariut me ujkun. Të parët ikin nga rreziku, të dytët, këta të fabulës, tallen me rrezikun. Një tallje e tillë është baraz me vetëeliminim, vetëshkatërrim, vetëzhdukje!

Natyrisht, reagimet instiktive të gjallesave nëntokësore shfaqen edhe në rastin e ndërtimeve gjigante, mihjeve zhurmuese, ushëtimës së makinerisë ndërtuese. Pra, përpjekjet dhe angazhimet për dëmtim të relievit, për debalansim të gjërave, për prishje të baraspeshave, për deharmonizim të mikrohapësirave, të tingujve, të dritës, të hijes, të ngjyrave, të gjitha në vete janë në njëfarë forme tërmet.

Po kështu, edhe në jetën shoqëroro-politike zhvillohen veprime me pasoja katastrofale.  Zhvillimi i njerëzimit, në procesin e vet fillimisht pikëmbështetje i pati udhëzimet e shenjta. Këtë fazë e karakterizon lulëzimi i civilizimeve dhe kulturave të ndryshme. Kur ky zhvillim u shkëput nga udhëzimet e shenjta dhe kur pikëmbështetjen nisi ta kërkojë ekskluzivisht në udhëzimet e njeriut, atëherë do të shpërthejë bing beng-u shoqëror dhe ky shpërthim do të vazhdojë edhe sot, edhe nesër, edhe pasnesër…

Pse e bëra këtë parantezë kaq të gjatë mbi problematikën që deshta ta shtjelloj këtu? Mbase nga shashtisja e avanturës së re për politika debalansuese të disa qarqeve të pushtetit aktual. “Sensorët” që po na i përçojnë lëvizjet politike të këtyre qarqeve po na japin sinjal për t’u mobilizuar para se të vijë ndonjë valë goditëse me pasoja të paparashikueshme. Disa struktura të pushtetit aktual po mendojnë se, meqë tashmë kanë përfunduar me procesin e krijimit të kombit “maqedonë antikë”, tani na qenkan në proces të krijimit të komunitetit  “maqedonë muslimanë” si pjesë përbërëse e kombit të “antikëve”! Në fund, fare në fund, do të flasë shkenca dhe, këta “maqedonë antikë” pa dyshim që do t’i nxjerrë fis të ilirëve, të paraardhësve të shqiptarëve. Fatkeqësisht, sllavomaqedonasit do të na ngelin pakicë kombëtare! Sido qoftë, ky është problem i shkencës.

Lindja

Homo politikus-i kulmin e suksesit të vet e ka arritur kur ka definuar familjen-fisin-kombin dhe, oborrin-territorin-shtetin. Kapakun këtij suksesi ia ka vënë me ngulfatjen e anarkisë përmes instalimit të rregullave demokratike  të mbështetur në obligimin e detyrueshëm për ta respektuar të drejtën për jetë, për liri dhe për vetëpërcaktim apo vetëvendosje. Aboslutisht, këto rregulla demokratike shumë më herët i hasim në bazat e të drejtës islame.

Aq lehtë krijohet një etni, një komunitet, një komb? Krijohet apo lind bashkë me të gjitha predispozitat për t’u quajtur i tillë? Edhe pse popujt e ndryshëm nxjerrin nga gjiri i vet individë e personalitete që e gëzojnë epitetin “baba i kombit”, megjithatë, termi “baba” këtu ka kuptimin e liderit, të prijësit, të udhëheqësit në luftëra, në liri e në reforma, dhe nuk ka kuptimin e subjektit bashkëshortor që merr pjesë në ngjizjen dhe në lindjen e një fenomeni! Në bazë të definicioneve të deritanishme shkencore shihet qartë se, kombi është një proces  që rrjedh dhe që zhvillohet fund e krye nga vullneti i Krijuesit të Plotëfuqishëm. “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” (En Nisa, 1)Kombet që kanë ngelur jasht Vullneti të Krijuesit, sado që me prijës të fuqishëm, të mëdhenj, të urtë e të guximshëm, nuk ekzistojnë më, kanë kaluar në tema mitologjike, legjendare, historike.

Nga cilido kënd i përkufizimit të kombit, qoftë nga ai filozofik, politik apo ideologjik, shohim që kombin nuk mund ta krijojë individi. Kjo shihet edhe në përkufizimet e filozofit gjerman, Immanuel Kant, të liberalistit të famshëm John Stuart Mill, të filozofit bashkëkohor Alasdair Maclntyre, të Marksit, Engelsit, por edhe të Ibn Haldunit, përkufizime këto që shumë qartë mbështeten mbi të vetmen teori se gjithçka në tokë është krijuar, krijohet dhe do të krijohet vetëm prej të Madhit Zot.

Në hapësirat e ish-bllokut socialist akoma mësohet definicioni mbi kombin që “na vjen” nga Stalini. Këtë definicion e gjejmë edhe në fjalorin e fundit të gjuhës shqipe, ndonëse për mendimin tim, definicion më brilant se ai i Lekë Dukagjinit nuk ka, i cili thotë: “Familjen e perbajn gjindja e shpis; si të shtohen këta, dahen në vllazni, vllaznija në gjini, gjinija në fise, fiset në flamur e të gjith zbashku permblidhen në nji Familje ma të hapët, e cila quhet Kom, e kan nji atme, nji gjak, nji gjuhë, e doke”.

Hiq gjuhës që mund të jetë si pasojë e trysnive asimiluese, çfarë të përbashkët mund të kenë përkatësit e komunitetit torbesh me sllavomaqedonasit apo me “maqedonasit antikë”! Janë fare të paktë, madje mund të numërohen  në gishta, ata torbeshë të mirëfilltë që do të pranonin të quheshin maqedonasë, më sa do të pranonte ndonjë shqiptar të quhej arab për shkak të muslimanizmit, të quhej grek, serb apo rus për shkak të ortodoksisë apo të quhej spanjoll, brazilian apo ruandez për shkak të përkatësisë së tij katolike.

Janë të dështuara që në start të gjitha përpjekjet për ta kopjuar trininë konfesionale të shqiptarëve, siç janë të dështuara edhe për ta arritur atë filozofi të tolerancës ndërfetare shqiptrare.

Nëse do të heshtnim para kësaj përpjekje djallëzore të disa qarqeve të pushtetit aktual dhe, nëse këto përpjekje do t’i përceptonim si gjakim për t’i kopjuar shqiptarët dhe nga ky gjakim do të binim në letargji, atëherë, do të kemi një problem shumë të madhë. Më mirë problemi të zbërthehet përderisa është në fazën e qimes rrënjore.

Problemi

Edhe më herët kemi pasur ankesa të cilat, kohëve të fundit po shtohen gjithnjë e më shumë. Pjesëtarët e komunitetit torbesh vizitohen nga “misionarët vmroistë” dhe ju ofrohet punë në administratë në këmbim të identitetit të tyre në “makedonci muslimani”. Kemi informacione se në kuadër të ministrisë për financa funksionon një shtab i posaçëm i VMRO-së, i cili merret me lobim në të mirë të formimit dhe të rritjes së komunitetit “makedonci muslimani” dhe, ky lobim kryhet nëpër familjet e torbeshëve. VMRO-DPMNE-së u duhet numër sa më i madh i “makedonci muslimanëve”! Pse? Vetëm për ta përfituar këtë komunitet për punë vote! Kështu do të mendonin politikanët miopë, apo ata që politikën e kanë punë bisnesi e jo çështje kombëtare e shtetërore. Kjo përpjekje e ulët vjen e rritet gjithnjë në prag të fushatave parazgjedhore, sepse merret si moment kur manipulimet janë më të mundshme dhe më lehtësisht të realiuzueshme. Politikave manipulative nuk u intereson ajo se si ndjehesh por çka deklarohesh!

Analizat tona, të BFI-së si institucion i vetëm fetar që ka për obligim kushtetutar të përkujdeset për çdo pjesëtarë të vetin, flasin se, prapavija e këtij aktiviteti satanik të VMRO-së përkthehet fjalë për fjale si angazhim për ta krijuar një “komunitet-komb” të ri, për ta maksimalizuar fuqinë e cila garanton mbajtjen e pushtetit dhe me këtë për të shtetëzuar çdo gjë që i përket kombit maqedonas. Pra, kombi maqedonas duhet ta ketë edhe maqedonasë muslimanë të cilëve duhet t’u përkasë vakëfi i cili do të arrihet duke e shtetëzuar atë! Ngjashëm siç është shtetëzuar policia, ushtria, banka etj. Lojë jashtëzakonisht e rrezikshme. Sinjale tërmeti katastrofal?!

Nuk di për të tjerët por, ne, muslimanët e Maqedonisë, që nuk jemi më pak se një million, me asnjë çmim, me asnjë paqe, me asnjë liri e tolerancë nuk do të pajtoheshim me rrumbullaksimin e synimit djallëzor të këtyre strukturave të pushtetit aktual: me shtetëzimin e vakëfit në të mirë të “muslimanëve maqedonasë”! Nuk ka të tillë, sot e përgjithmonë! Mund të ketë vetëm ndonjë administrator, i shtrënguar për të menduar për prapanicën e vet. Ai që mendon për kokë e për ideal dihet se nga e ka Kiblen

Dhe, “Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim,  përveç robërve të Tu të sinqertë”. (Allahu) tha: “Kjo është rruga Ime e drejtë. Në të vërtetë, ti nuk do të kesh  pushtet mbi robërit e Mi, përveçse mbi të humburit, që të pasojnë ty.” (El Hixhr, 39-42).

(Autori është Kryetar i BFI në RM)

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. “Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde!” Sot, kalorësi jo se jo që nuk kemi, por edhe këmbesorija është duke u humbur dalngadalë. edhe fjalët e Librit të shenjtë më nuk vlejnë për të gjitha kohët. 🙁

  2. Nuk “është instikti kafshëror”, por jane receptorët shumë të ndjeshëm të insekteve dhe kafshëve që i bëjnë që “instiktivisht” të dalin në siperfaqe të dheut (por jo të gjithat gjallesat nëntoksore reagojnë kështu!!!). Pra, kujdes me përdorimin e “fakteve” shkencore (natyrore) për spjegimin e situatave njerëzore. 🙁

Back to top button