Tre të vdekur nga përmbytjet në Shqipëri

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e motit të keq që ka kapluar Shqipërinë. Mësohet se babë e bijë humbën jetën në qendër të Laçit, pasi makinën me të cilën udhëtonin e ka marrë rrjedha e ujit, ndërsa në Kurbin si pasojë e shembjes së një ure ka humbur jetën një i ri 22-vjeçar.

Gjon Kola, ish-drejtor shkolle në Laç është nxjerrë i pajetë nga makina, ndërsa disa orë pas kërkimeve nga ekipet e emergjencës është gjetur edhe trupi i pajetë i vajzës së tij rreth 23 vjeç, Dorina Kola. Mësohet se trupi i vajzës është gjetur në Sanxhak, rreth 2 kilometra nga vendi ku makina me të cilën udhëtonin babë e bijë u përfshi nga rrjedha e ujit.

Ndërkohë, në fshatin Skuraj të Kurbinit si pasojë e shembjes së një ure ka humbur jetën 22-vjeçari Liman Balluku të cilin e ka marrë rrjedha e ujit. Ekipet e forcave të kërkim-shpëtimit vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit.

Në Lundër të Tiranës si pasojë e përmbytjeve 4 persona kanë mbetur të bllokuar për disa orë në tarracën e banesës së tyre pranë Arkivës Qëndrore. Shërbimi zjarrfikës ka bërë të mundur evakuuimin e 4 banorëve të bllokuar, të cilët fatmirësiht janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Menjëherë pas gjendjes së krijuar nga reshjet e dendura të shiut në disa zona të vendit, nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, u mblodh grupi koordinator në Kryeministri, i cili po ndjek situatën në mënyrë të vazhdueshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button