Thaçi thotë se Qeveria e re duhet të jetë shumetnike

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se qeveria e re duhet të jetë shumetnike. Postimin e tij në Facebook, mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“E ritheksoj edhe një herë se institucionet e reja të Republikës së Kosovës duhet të kenë legjitimitet të fuqishëm qytetar dhe përfshirje gjithë-etnike. Për më tepër, duhet të kemi një agjendë të qartë për zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, vazhdimin e dialogut dhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në Bruksel, funksionim efektiv të rendit dhe ligjit duke u përqendruar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, betejën e pakompromis kundër çfarëdo lloj ekstremizmi, si dhe vazhdimin e reformave rrënjësore për përmbushjen e kritereve për integrim në NATO dhe BE.

Është me rëndësi të potencojmë se Partia Demokratike e Kosovës, si parti e qendrës se djathtë, për realizimin e këtyre synimeve thelbësore në interes të vendit dhe qytetarëve, do të punojë me përkushtim me partitë politike të cilat janë të mishëruara me këto vlera dhe synime programatike”, ka shkruar Thaçi. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button