Lista Serbe, e “vonuar” për koalicione

Pjesëmarrja e pakicave, përfshirë edhe pakicën serbe në qeverinë e re të Kosovës, është garantuar me Kushtetutë. Por, Lista Serbe, si subjekti më i madh që përfaqëson serbët në Kuvendin e Kosovës, ende nuk është orientuar drejt ndonjë koalicioni të mundshëm, vlerësojnë drejtuesit e saj.
Ky mos orientim, sipas njohësve serbë të zhvillimeve politike në vend, nuk është në favor të këtij subjekti nëse ai dëshiron që në mandatin e ardhshëm t’i adresojë qëllimet e veta.

Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i Listës Serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se nuk kanë kontaktuar me asnjërën nga dy blloqet politike, të cilat do të synojnë formimin e qeverisë së vendit.

“Problemi qëndron tek partitë politike të shqiptarëve të Kosovës. ne po presim që ata të merren vesh”, tha Jabllanoviq.

Por, këtë pritje Rangjel Nojkiq nuk e konsideron si veprim të mençur politik. Sipas tij, Lista Serbe është dashur që të orientohet më herët drejt një opsioni të mundshëm për koalicion.

Qëndrimi i mëhershëm i Listës Serbe ishte të mos marrë pjesë në një qeveri pjesë së cilës është edhe Lëvizja Vetëvendosje. Nojkiq vlerëson se Lista Serbe nuk duhet ta përjashtojë opsionin e tillë eventual, sepse një gjë e tillë do të ishte edhe një sfidë e re për serbët.

Jabllanoviq shton se është e pamundur të jesh pjesë e një qeverie dhe të mos ekzistojë bashkëpunimi i definuar me ndonjë marrëveshje ndërmjet partive politike.

“Në qoftë se Lista Serbe do të hyj si faktor në qeverinë e ardhshme të Kosovës, atëherë ajo duhet t’i pranojë disa kushte. Por, në anën tjetër, edhe partitë tjera politike duhet t’i njohin interesat e Listës Serbe për formimin e qeverisë”, tha Jabllanoviq.

Megjithatë, Nojkiq shpreh mendimin se Lista Serbe ka mundësi edhe tash të orientohet drejt një koalicioni apo marrëveshjeje me partitë politike.

“Lista Serbe mund ta bëjë tash një lloj marrëveshje me partnerët e koalicionit dhe të ketë qëndrim shumë të qartë, që në fillim, se si mund t’i realizojë kërkesat e saj”, theksoi Nojkiq.

Ndryshe, zyrtarët e Listës Serbe thonë se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë t’ia prezantojnë problemet Beogradit dhe se do të konsultohen me të. Ndërkaq, njohësit serbë të zhvillimeve politike shprehin mendimin se Lista Serbe duhet të bëj marrëveshje me Beogradin që çështjet të cilat do t’i parashtrojnë në të ardhmen, në Qeverinë e Kosovës, të kenë bazë reale! /REL/

Lajme të ngjashme

Back to top button