Kriza ekonomike, Japonia në zgjedhje të parakohëshme

Japonezët do të votojnë në zgjedhje të parakohëshme të thërritura nga Kryeministri Shinzo Abe i cili kërkon mbështetje për të ndërmarrë reforma shtrënguese për t’u përballur me rënien ekonomike të vendit.

Në një konferencë për mediat, Abe tha se do të shpërndajë parlamentin brenda kësaj jave. Ai njoftoi edhe shtyrjen e hyrjes në fuqi të një plani fiskal jopopullor që rrit ndjeshëm taksat.

“Do të shpërndaj parlamentin më 21 nëntor”, tha ai.

Abe erdhi në pushtet dy vite më parë me një plan ambicioz për ringjalljen e ekonomisë japoneze, ekonomia e tretë më e madhe në botë.

Sondazhet thonë se pavarësisht rënies së ndjeshme të popullaritetit të tij, Shinzo Abe pritet të fitojë zgjedhje e parakohëshme që mund të mbahen në mesin e dhjetorit.

Në fakt Demokratët Liberalë të Shinzo Abes kanë mazhorancën në parlamentin aktual, por Kryeministri do të thërrasë zgjedhje të parakohëshme për të përfituar nga gjendja jo e mirë e opozitës, që nuk favorizohet nga sondazhet.

Japonia ka borxhin më të lartë publik ndër vendet e zhvilluara. Për të ulur këtë borxh, që kap shifrat 238 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në përpjekje për të ulur këtë borxh, qeveria e mëparëshme në 2012 vendosi rritjen e një sërë taksash me shpresën se do të grumbullonte më shumë të ardhura.

Por vendimi u pasua me rënien e konsumit dhe shpenzimeve, duke bërë që të dhënat për gjendjen e ekonomisë të publikuara ditën e hënë të flisnin për një reçesion. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button