Doktor Flori, i jepet lamtumira e fundit

Me duartrokitje të gjatë nga qytetarë të shumtë që kishin mbushur plot hollin dhe oborrin para TVSH-së dhe me muzikën e tij në sfond është përcjellë arkëmorti me trupin e pajetë të Doktor Florit.

Miq, të njohur, kolegë, e shumë të tjerë të panjohur, por fansë të muzikës e këngës së tij i kanë dhënë japin sot lamtumirën e fundit Doktor Florit.

Në një ceremoni të posaçme që nisi në orën 09.00 në ambientet e TVSH-së, për dy orë janë zhvilluar homazhet në nder të këngëtarit rebel.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka shpehur nga afër ngushëllimet për familjarët. “Është një ngjarje mjaft tronditëse ndarja nga jeta e Doktor Florit, por përveç ngushëllimeve më të sinqerta për familjarët, bashkëpunëtorët, kolegët e artistët unë besoj se kemi angazhimin për ta kujtuar të qeshur e plot energji e dëshirë për t’i gëzuar gjithë të tjerët”- tha Meta, pas homazheve, në një prononcim të shkurtër për mediat.

Homazhe në nder të tij kanë zhvilluar edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, shoqëruar nga deputeti i PS-së, Blendi Klosi.

homazhe1

Këngëtari Alban Skenderaj, pas homazheve e ngushëllimit të familjes ka thënë për mediat se boshllëku që la Flori nuk do mbushet dot kurrë.

“Është një humbje shumë e madhe për familjen, miqtë dhe muzikën. Flori ishte një talent I rrallë dhe njerëzit si ai janë paketë, artist, tekstshkrues shumë i mirë, këngëtar shumë I mirë, i fuqishëm, energjik, pozitiv, me dashuri të madhe për jetën. Është e vështirë të gjesh fjalët për këtë humbje, një boshllëk e mungesë që nuk do mbushet ndonjëherë”, tha ai.

Arkëmorti është mbajtur nga miqtë e tij të ngushtë. Brenda ambienteve është vënë fillimisht muzikë funebre, e më pas holli ka jehuar nga këngët e kënduara nga vetë doktor Flori.

Pas homazheve, mes muzikës, duartrokitjeve dhe lotëve kortezhi është nisur drejt Sharrës. /panorama/

Lajme të ngjashme

Back to top button