Lufta kundër Ebola-s mbledh kolosët e muzikës (VIDEO)

Është prezantuar sot versioni i ri i këngës “Do They Know It’s Christmas?”, (A e dinë ata që janë Krishtlindjet), e cila ka për qëllim mbledhjen e fondeve për të luftuar Ebolën.

Që në orët e para të postimit në internet, një këngë e re e regjistruar gjatë fundjavës ka realizuar shitje voluminoze dixhitale në një përpjekje për të grumbulluar fonde në luftën kundër Ebolës.

Artisti britanik Bob Geldof arriti të sigurojë bashkëpunimin e emrave të tjerë të njohur të muzikës si Bono dhe Chris Martin për të regjistruar në Londër kompozimin e ri për fushatën e bamirësisë.

Në versionin e ri kanë marrë pjesë këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora, solisti i grupit “U2”, Bono, banda britanike, “One Direction”, Ed Sheeran, Ellie Goulding, Emeli Sande, Sam Smith etj.

Kënga dhe videoja shoqëruese u realizuan gjatë fundjavës dhe u postuan në internet sot në mëngjes.

Fondet e grumbulluara do të mblidhen  në Trustin Band Aid për të ndihmuar në luftën kundër Ebolës.

Bob Geldof ka tashmë eksperiencë të madhe në organizime të tilla, pas regjistrimit të realizuar në vitin 1984 me artistë si Boy George, George Michael, Bono dhe Sting për të luftuar urinë në Etiopi.

Regjistrimi i ri do të jetë i disponueshëm edhe në formën e një CD-je dhe do të dalë për shitje më 8 dhjetor.

Lajme të ngjashme

Back to top button