fbpx

Librat e Kembrixhit aspak nuk janë të përshtatshme për Maqedoninë

Librat e Kembrixhit të cilat i promovoi kohë më parë ministri i arsimit Abdilaqim Ademi, i cili  tha se librat janë cilësor dhe të përshtatura për rrethanat tona dhe për moshën e nxënësve, vlerësohet nga mësimdhënësit dhe prindërit që nuk janë adekuat për kushtet e Maqedonisë.

Mësimdhënësit dhe prindërit ankohen se librat janë mjaft të vështirë dhe se kërkojnë punën praktike, kurse në Maqedoni sidomos tek paralelet shqipe numri i nxënësve në një klasë është tejet i madh për të punuar në këtë mënyrë.
Prindërit thonë se matematika është tejet e vështirë dhe se nga nxënësit e vegjël kërkohen detyra që madje janë për shkollë të mesme.

“Një detyrë në matematikë kërkon nga një 6 vjeçar, të themi diçka të pamundur. Është thjeshtë shumë e vështirë për dy djemtë e mi të zgjidhin ekuacionet në atë moshë ” thotë B.J, prind.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë të Kumanovës Samet Jahiji bën të ditur se personalisht nuk i ka parë këto tekste por sa ka dëgjuar nga kolegët e tij, ato nuk janë fare adekuat për kushtet tona.

“Personalisht nuk i kam parë tekstet por me sa kam kuptuar nga kolegët, janë shumë të vështirë dhe kërkohen gjera të cilat nuk janë në planprogramin mësimor, si për shembull mësimi i numrave, për dallim prej viteve tjera, nxënësit e klasës së parë duhet të mësojnë numrat nga 0 deri në 100 dhe të mësojnë ti shkruajnë dhe ti lexojnë prej 0 deri në 20. Kjo  është ngarkesë e madhe psikike për fëmijët e kësaj moshe të mësojnë gjëra të tillë”, tha për Portalb Jahiji.

Librat e Kembrixhit
Librat e Kembrixhit

Ai shtoi se zgjidhje për problemin e kamotshëm do të ishte unifikimi i teksteve me Shqipërinë.

“Probleme me libra kemi tani më një kohë të gjatë, LASH e Kumanovës edhe më herët ka theksuar se unifikimi i teksteve shkollorë duke filluar nga abetarja, do të ishte një zgjidhje e përhershme e problemeve tona”, shtoi Jahiji.

Kohë më parë kryetari i LASH-it në Maqedoni, Nuhi Dardhishta tha për Portalb se autorët shqiptarë janë të bllokuar nga vetë fakti se këto marrëveshje kanë mbyllur konkurset e autorëve vendas.

“Ky është një lloj diskriminimi si për neve shqiptarët ashtu edhe për maqedonasit. Pse të merren libra nga jashtë? Ata ndoshta janë shumë të mirë mirëpo neve nuk kemi kushte që të punojmë me to. Shkaku i këtyre marrëveshjeve, MASH ka mbyllur konkurset për autorët dhe në këtë mënyrë askush nuk mundet të jep programet e tyre të cilat mund t’i kenë realizuar në tekst shkollor”, theksoi Dardhishta.

Po ashtu edhe prindërit ankohen se kur ndihmojnë fëmijët gjatë detyrave të shtëpisë, shohin se sa të vështira janë ato për tu zgjidhur.

“Unë fëmijën e kam në klasën e tretë dhe shpesh herë kur më kërkon ndihmë shoh librin dhe habitem se si një fëmijë i klasës së tretë i mëson ato gjëra. Unë që jam në moshë të rritur më nevojitet kohë për të zgjidhur ato, e lëre më fëmijët. Kjo nuk është normal, fëmijët vetëm sa hutohen edhe më shumë dhe humbin vullnetin për mësim nëse nuk i kuptojnë detyrat”, tha Arben Tahiri, prind.

Nga ana tjetër përderisa MASH lavdërohet me këtë projekt, partia opozitare LSDM kohë më parë doli me qëndrimin se nuk ka projekt “Kembrixh” në arsim por ka skandal biznesi me peshë prej 12 milion eurove në të cilin janë përfshirë Qeveria e Maqedonisë së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. / Portalb

Tags

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Plotesisht e perkrahi memdimin, i moret ne qafe qenien me te shtrejte, nxenesin, jan te hutuar me keto tekste sidomos “matematika 1,2,3”, per kl. II, edhe “shkenca natyrore” eshte turp i madh, ka fjle e fjali qe fare nuk kuptohen nga nxenesit….

Back to top button
Close