Përpjekjet e fundit për ta shpëtuar Bllokun, Haradinaj takon Kurtin e Limajn

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka takuar sot Albin Kurtin e Fatmir Limajn, ku kanë diskutuar për situatën e krijuar mes Bllokut dhe kërkesës së LDK-së që asaj t’i takojë posti i kryeministrit, gjë të cilën e kundërshton AAK-ja.
Ramush Haradinaj nuk e ka në plan të heqë dorë nga posti i kryeministrit.

Liderit të AAK-së i erdhi sërish mbështetja nga kryesia e partisë së tij, të cilët vetëm Ramush Haradinajn e duan kryeministër.

Pas takimit, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, tha se marrëveshja e 10 qershorit nuk mund të jetë peng i veprimeve të njëanshme të cilitdo subjekt që është pjesë e koalicionit, e nëse ka lëvizje nga marrëveshja, atëherë përgjegjësia bie mbi atë subjekt politik që e bën marrëveshjen të dështuar.

AAK-ja nuk ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me PDK-në.

Nga posti i kryeministrit nuk e ka ndërmend të heqë dorë as LDK-ja. Kjo parti nuk ka dashur të komentojë shumë akuzat që AAK-ja i ka drejtuar LDK-së dhe liderit Isa Mustafa.

Ndërkaq, tre liderët e bllokut këtë herë janë takuar pa liderin e LDK-së.

KTV-ja merr vesh se Ramush Haradinaj ka takuar Albin Kurtin e Fatmir Limajn, ku kanë diskutuar për situatën e krijuar mes bllokut dhe kërkesës së LDK-së.

Vazhdimi në bllok i katërshes së partive u vu në pikëpyetje që prej vendimit për të hequr dorë nga posti i kryeparlamentarit. /koha.net/

Lajme të ngjashme

Back to top button