Brezovica, 410 milion euro investime për ski-qendrën më moderne në Ballkan

Sot në Prishtinë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Ismet Mulaj, ka njoftuar se projekti më i madh ekonomik me investime të huaja në Kosovë, që nga paslufta, projekti për ndërtimin e qendrës turistike dhe ski-qendrës më moderne në Ballkan, në të cilin do të investohen 410 milionë euro, ka hyrë në fazën finale, raporton Anadolu Agency.

Ministri Mulaj bëri të ditur se tashmë projekti ndodhet në fazën kur ekspertët e USAID-it së bashku me ata të Komisionit Evropian, si dhe Komitetin Drejtues Ndërministror të ngarkuar për Projektin Zhvillimor të Qendrës Turistike të Brezovicës, janë duke bërë vlerësimin final të procesit të gjatë dhe shumë të komplikuar të tenderimit dhe të ofertës së ofruar nga konsorciumi i cili ka konkurruar për projektin e Brezovicës.

“Brezovica është një aset i rëndësishëm për Kosovën dhe kur Qeveria e Kosovës e ka shpallur me prioritet të veçanta ka pas disa arsye. E para që të arrijë të tërheq investitorë serioz që të vijnë në Kosovë, se dyti të këtë një impakt të lartë të zhvillimit ekonomik jo vetëm të asaj zone, por të gjithë Kosovës dhe së treti ta kemi një resort turistik që të krenohemi, jo vetëm Kosova por edhe më gjerë”, tha Mulaj dhe shtoi se pas shpalljes së tenderit ndërkombëtar, oferta më serioze ishte dorëzuar nga konsorciumi francez i udhëhequr nga MDP Consulting, së bashku me operatorin e njohur botëror, Compagnie des Alpes. Më tej, ministri i MTI-së tha se ky konsorcium ka ofruar 410 milionë euro investime për Brezovicën, për të ndërtuar mbi 100 kilometra shtigje, mbi 20 ski-lifte moderne dhe infrastrukturë e cila këtë qendër do ta fusë në hartën botërore të ski-turizmit, por edhe turizmit në përgjithësi, sepse synohet që kjo qendër të punoj gjatë tërë vitit.

Gjatë këtij prezantimi është thënë se, me investimet në ndërtimin e Qendrës Tursitike në Brezovicë do të krijohen më shumë se 3000 vende pune prej të cilave, 920 do të jenë të inkuadruara direkt në kompleksin turistik, ndërsa vendet tjera të punës përfshijnë procesin e ndërtimit i cili do të zgjas në tri faza, gjatë tetë viteve të ardhshme.

Ndërkohë, Azem Rexhaj, kryesuesi i Komitetit Drejtues Ndërministror (KDN) i ngarkuar për Projektin Zhvillimor të Qendrës Turistike të Brezovicës, njoftoi se komiteti ishte takuar në mëngjes, për t’i shikuar dhe mbështetur rekomandimet e ekspertëve të USAID-it dhe Komisionit Evropian, si dhe raportin e vlerësimit që rrjedh nga propozimi i dorëzuar për projektim, ndërtim, financim dhe operim të Projektit Zhvillimor të Qendrës Turistike të Brezovicës (PZHQTB).

“Shpallja e fituesit do të bëhet sot, pas miratimit të marr nga KDN si dhe pas vlerësimit të ekspertëve ndërkombëtarë dhe komisionit për vlerësim që ka qenë i themeluar në kuadër të MTI i përbërë nga gjitha institucionet që kanë qenë të përfshira në projekt” tha Rexhaj për media dhe prezantoi hap pas hapi gjithë procesin e këtij projekti, nga shpallja e tenderit ndërkombëtar e deri tek pranimi i propozimit të konsorciumit francez, të udhëhequr nga MDP Consulting dhe operatori Compagnie des Alpes, i cili parasheh që në fazën fillestare, në 3 vitet e para, të investohen 165 milion euro.

Ndërtimi i Qendrës Turistike të Brezovicës parashikon krijimin e shtigjeve për ski, të nivelit botëror, në gjatësi prej mbi 100 km, ku do të jenë më të gjatat në Ballkan. Në këto shtigje do të ndërtohen mbi 20 teleferikë me pajisje moderne, me standarde të sigurisë dhe të kualitetit më të lartë botëror, duke përfshirë edhe sistemin e alarmimit për rrezikun nga orteku. Ndërsa, në kuadër të konceptit zhvillimor të kësaj ski-qendre moderne, përveç hoteleve dhe objekteve për akomodim, parashihet edhe ndërtimi i infrastrukturës e cila do ta bëjë Brezovicën jashtëzakonisht atraktive, si për shembull , ndërtimi i Aquaparkut dhe Parkut të Aventurave.
Në fund, u bë e ditur se MTI-së dhe Komitetit Drejtues Ndërministror do ta përcjellin hapë pas hapi zhvillimin e këtij projekti, deri në realizimin e tij të plotë.

Lajme të ngjashme

Back to top button