Itali-Shqipëri, mbi 10 mijë tifozë shqiptarë

Ndeshja miqësore mes Italisë dhe Shqipërisë, përveç se do të jetë përballja e parë mes dy ekipeve kombëtare të të dy vendeve, do të jetë edhe një rast tejet i mirë për të treguar vlerat më të mira të shqiptarëve.

Për më tepër që vjen vetëm vetëm 2 ditë nga takimi zyrtar, i vlefshëm për kualifikueset e “Euro 2016”, mes Italisë dhe Kroacisë, të luajtur në “San Siro” të Milanos, ku sërish pati “incidente” të shkaktuara nga tifozët kroatë, me hedhjen e bombave tymuese në fushë, që shkaktuan ndërprerjen për 10 minuta të ndeshjes.

Agjencia italiane ANSA, këtë të hënë i ka bërë jehonë lajmit se mbi 10 mijë bileta u janë shitur tifozëve shqiptarë për ndeshjen mes Italisë dhe kuqezinjve të drejtuar nga një trajner italian, Gianni de Biasi, një miqësore që do të zhvillohet në stadiumin “Luigi Ferraris” të Xhenovas.

Dhe, ashtu si dhe qëllimi i zhvillimit të kësaj miqësoreje, me të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave që do të shkojnë në favor të të përmbyturve, ky do të jetë një tjetër rast i artë për të treguar vlerat e shqiptarëve, të cilët sipas medias italiane do të vijnë jo vetëm nga komuniteti në Xhenova, por edhe nga pjesët veriore e qendrore të Italisë, si dhe shumë të tjerë nga Zvicra, Franca e Gjermania.

Kuestura xhenoveze ka bërë të ditur se është e gatshme të ofrojë të gjitha kushtet e nevojshme të rendit publik, edhe pse nuk duhet të ketë asnjë shkak për të pasur nevojë për ndëhyrjen e tyre. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button