Në shkollën “Arseni Jovkov” paralelet shqiptare pa kushte për mësim

Paralelet shqipe në Shkollën e Mesme Ekonomike ‘Arseni Jovkov’ janë të ngarkuara deri në 40 nxënës, kjo përbënë shkelje të Ligjit për Arsim të Mesëm mbi kushtet si dhe numrin e nxënësve që duhet të mësojnë  në një paralele, transmeton Alsat.

Nxënësit shprehen të revoltuar  për kushtet e mësimit, duke i vlerësuar ato  edhe diskriminues.

“Është shumë vështirë të punohet me 42 nxënës, pasi jemi shumë dhe profesorët nuk kanë shumë kohë të angazhohen me ne. Tek maqedonasit si duket është më mirë pasi janë më pak nxënës, nuk ka sa jemi ne shqiptarët. Po, është e vërtet ka shqiptarë tek paralelet maqedonase, ka më shumë shqiptar se sa maqedonas”, u shpreh një nxënëse e SH.M.E ‘Arseni Jovkov’.

“Klasa ime ka 42 nxënës. Katastrofë është kjo, ne po mundohemi sa më shumë. Sa kam dëgjuar unë tek maqedonasit nuk ka më shumë se 25 nxënës në klasë dhe normal që është më lehtë atje dhe profesorët mund të angazhohen më tepër”, tha një tjetër nxënës i SH.M.E ‘Arseni Jovkov’.

“Numri i nxënësve është mbi 35 në të shumtën e rasteve. Vitet e katërta i kemi të gjitha klasat me nga 40-42 nxënës, paragjykojmë se numri i nxënësve maqedonas nëpër paralele është më i vogël. Nuk kemi të dhëna të sakta, por ai duhet të jetë më i vogël. Në përgjithësi shohim se ka edhe nxënës të tjerë në paralelet maqedonase dhe jo vetëm maqedonas’”, deklaroi Agron Memeti, profesor.

Drejtoresha Jovanka Asprovska nuk deshi të fliste para kamerës. Ajo shkurt mohoi situatën të cilën e përshkruajnë nxënësit dhe profesorët shqiptarë, me arsyetimin se të gjithë në shkollë trajtohen në mënyrë të barabartë. Por vet ajo nuk lejoi që kamera jonë të regjistrojë paralelet maqedonase. Përgjegjësi për paralelet shqipe Nazmi Ramani konfirmoi gjendjen e vështirë, por nga ana tjetër pranoi se nuk ka kompetenca që zëri i tij të dëgjohet nga drejtoresha.

Lajme të ngjashme

Back to top button