Bëhet publike letra e lamtumirës e Tito Vilanova

Barcelona publikoi në faqen e saj zyrtare një letër të hapur të Tito Vilanovës, ku trajneri katalanas i falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në këto momente të vështira dhe në vecanti Barcelonën, tifozët e saj presidentin Rosell dhe të gjithë stafin. Vilanova shkruan se pas 5 vitesh në skuadrën e ëndrrave për cdo trajner është momenti për një ndryshim në jetën e tij profesionale për t’ia dedikuar të gjithë forcat sëmundjes që ju diagnostikua një vit e gjysmë më parë.

44-vjecari shton se për shkak të trajtimeve të cilave duhet t’ju nënshtrohet sipas këshillave të mjekëve nuk mund ta lejojnë të japë 100% të kryerjes së detyrave që kërkohet nga një trajner i një skuadre të nivelit të Barcelonës, por mund të vazhdojë të punojë për këtë klub me të tjera detyra të aspektit sportiv.

Për sa i përket betejës me sëmundjen, Vilanova shprehet se ai e di që nuk e luan këtë lojë i vetëm, pasi bën pjesë në një klub që ka demonstruar gjithnjë solidaritet dhe që do ta ndihmojë në këtë proces të gjatë, sic ka bërë edhe deri më tani. Tito Vilanova thekson se në këto momente të vështira për të dhe familjen e tij, kërkon respektin dhe mirëkuptimin e mediave.

Duke qenë se nuk është më trajner i Barcelonës shpreson që më në fund të ketë paqen dhe privatësinë për të cilën ai dhe familja e tij kanë shumë nevojë. Pas falënderimeve për Barcelonën dhe gjithë personave me të cilët ka punuar, duke shprehur bindjen se e fillon luftën ndaj sëmundjes me besimin se do ta fitojë atë, Vilanova e mbyll letrën e tij duke uruar fat të mbarë dhe cdo sukses të mundshëm për trajnerin e ardhshëm të Barcelonës, apo më saktë sic shprehet në letër, trajnerin e skuadrës më të mirë në botë.

Lajme të ngjashme

Back to top button