Fatmir Besimi shpjegon si do të ndahen 664.2 milion euro nga fondet IPA2

 Zëvendëskryeministri për euro-integrime, Fatmir Besimi tha sot në kuvend se përmes Instrumentit për Ndihmë Paraaderuese 2014-2020 apo e njohur si IPA 2, Maqedonia do të ketë në dispozicion gjithsej 664.2 milion euro për realizimin e prioriteteve konkrete dhe strategjike në më shumë fusha.  Fushat për të cilat IPA2 mund të përdoret janë demokracia dhe qeverisja, sundimi i së drejtës dhe të drejtat e njeriut, mjedisi jetësor dhe aksionet klimatike, transporti, konkurrenca dhe inovimet, arsimi, punësimet dhe politika sociale, mekanizmat horizontal për bashkëpunim ndërinstitucional, bujqësi dhe zhvillim rural.

“Në kuadër të prioritetit demokraci dhe qeverisje, në shtatë vitet e ardhshme do të alokohen 122.9 milion euro, për sundimin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut 83 milion euro, për mjedisin jetësor dhe aksionet klimatike 112,9 milion euro, për transport 112.9 milion euro, për konkurrencë dhe inovacione 73 milion euro, për arsim, punësim dhe politikë sociale 53 milion euro dhe 106.3 milion euro për bujqësi dhe zhvillim rural” tha ai para Komisionit për Çështje Evropiane në debatin publik me temë “IPA 2 (2014-2020) Perspektivat dhe mundësitë e shfrytëzimit”.

Ai tha se Sekretariati  do të komunikojë me institucionet, me njësitë e vetëqeverisjes lokale, me shoqërinë civile, komunitetin e biznesit dhe publikun e gjerë, me çka synohet të arrihet shfrytëzim më i madh i fondeve evropiane. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button