ALO, ALO!

U bëmë  të gjithë me telefona të rinj. Na erdhi një ofertë e mirë për ne të punësuarit dhe asnjë nuk  e çante më kokën për asgjë tjetër përveçse për modelin e celularit që do të zgjidhte.Të gjithë shëtisnim me fletët reklamuese nëpër duar dhe s’bisedonim për tjetër gjë përveç  opsioneve të telefonave të mrekullueshëm androidë. Pastruesja jonë më erdhi në zyrë ,gjithë qejf e më tregoi modelin e celularit të saj.Sipas ofertës këta celularë të mrekullueshëm shiteshin me këste , ku paguhej bashkarisht edhe celulari edhe bisedat e palimituara telefonike.Ishte diçka perfekte.Mund të dëgjoje madje edhe muzikë.Pastruesja ,pa më pyetur fare më futi në vesh kufjen e saj për të dëgjuar sa i bukur dilte tingulli në ato telefona.Vërtet! Motrat Mustafa piskatnin për mrekulli.Pastaj blenë telefona edhe kolegët e zyrës sime.Kolegu që kam përballë më fotografonte kur ti kujtohej.Jo për diçka ,po thjesht për të testuar kamerën e telefonit. Nejse ! Pas tre ditësh  bleva telefon edhe unë.

Javën e parë ishim te kënaqur të gjithë. Sa foto e sa selfi  që bëmë.Shkrap e  çkrap në të gjitha anët.Ne duke punuar. Ne duke pirë kafe.Ne në ditë me diell. Ne në ditë me shi.Ne në diten e dytë të Bajramit.Ne në ditën e tretë të Bajramit.Një muaj rresht bëmë foto në çdo vend që mund të dukej si vend i bukur.Nuk i kapnim në foto karriket e thyera dhe xhamat e ndotur. Vetëm gjërat e bukura.Kur shikoja në foto vendin ku punoja ,më dukej sikur punoja në Dubai.Kontratat për telefonat i kishim dyvjeçare.Po kush çante kokën për kontratat?!Ne dukeshim si të bukurit e dheut.Dhe atyre që s’kishin blerë akoma telefona  të tillë ,u dukeshim si sheikët e Arabisë.

Pas një muaj dikush u ankua se i qe prishur telefoni.,,Budallai .Kush e di ku është rrëzuar me gjithë telefon. Këta nuk janë telefona për çdo katundar. ,,Kështu menduam të gjithë.Pas ca kohe edhe një kolege tha se në disa raste nuk e dëgjonte mirë bisedën me vjehrrën.Po as kjo s’mund të ishte faji i telefonit.Të gjitha ne i dëgjonim përgjysëm këshilat e vjehrrës.Mua më dukej se telefoni im më bënte kohë pas kohe një zhurmë si ulërimë ujku: UUUUUUUUUUUUU…, po nuk i tregova askujt.Pija ca ilaçe atëherë për dhimbjen në vesh dhe mendoja se është faji i veshit tim.Pastaj nisën hallet me baterinë.Plasën diskutimet gjithkund.Jo i imi e mban baterinë dy ditë ,jo i imi tre ditë. Për një kohë të shkurtër erdhëm në një përfundim të përbashkët,, Telefonat e mbanin baterinë gjysëm dite. Pa përjashtime. PIKË!,,.Pas tre muajsh filluam të shtyheshim në rradhë tek servisi.Të gjithë kishin nga një difekt të vogël.Po kryesorja foto bënim. Pastaj prapë mund të silleshim para të tjerëve si sheikë.Megjithatë ramë dakord se telefonat nuk ishin aq ,,smart,,  saç reklamoheshin.Pastrueses ,kur i treguam se fjala ,,smart,, do të thotë ,,i mençur ,, u rebelos.,, Këta telefona të mençur, këta telefona janë idiotë.,,-tha.Kishte të drejtë.Ah, sikur të kishin qenë idiotë vetëm telefonat!

Në  muajin e pestë filluan problemet me faturat. Vinin më shumë seç qe parashikuar.U zumë gjer në përgjakje me sportelistet e kompanisë celulare.,,Jo ke harxhuar 4 giga internet, jo kam harxhuar tre.Lufta e Don Kishotit me mullinjtë e erës. KOT!Filluam të mbajmë shënime. Shënonim mesazhet, impulset, kontrollonim internetin. Unë u dorëzova për dy javë.I humbisja letrat ku i mbaja shënimet.Herë e merja letrën më vete, herë e harroja në shtëpi.Pastaj ndonjëherë e gjeja veten në mes të rrugës dhe s’kisha ku ti shënoj mesazhet.Vrisja mendjen kot , ishin dy sms apo ishin tre.Shumë të tjerë u dorëzuan njësoj si unë, përveç kolegut tim të zyrës.,,Pse çmendonin ata të kompanisë ,ne nuk kishim punë tjetër vetëm të shënojmë impulset dhe  sms –ët ?!,,Po kjo s’qe më e keqja. Këta telefonat e bukur dhe të mençur filluan të bëhen edhe krykërcyer. Kishin paturpësinë të linin bisedat përgjysëm kur t’ju tekej.Një herë po bisedoja me kryetarin e kisha ca kundështime të miat për diçka dhe telefoni u mbyll në momentin më të papërshtatshëm.U duk sikur ja mbylla telefonin kryetarit. Më bëri të dukem kryeneçe dhe arogante para kryetarit.Pastaj pas dy ditësh, ju kujtua …ulëriti si ujk nja dy herë dhe u ndez vetë. I kishte kaluar inati.

Nuk i shikoja më faturat. I mbyllja sytë e i paguaja.Kolegu im i zyrës i analizonte akoma. Arriti në një përfundim që mi shtoi hallet edhe më shumë.Edhe mua edhe atij na vidhnin. Po sipas kolegut mua më vidhnin më pak se ai. Dhe për këtë në vend që të mbante inat me kompaninë celulare , mbante inat me mua.I nxorrëm nga sirtarët kontratat.Unë nuk e lexoja dot kontratën. Ishte e shkruar me shkonja aq të vogla sa për 3 minuta mu errësuan sytë.Thjesht e kisha megapikselin e syri të papërshtatshëm për atë kontratë.U formua grupi i ekspertëve. Filluan të shfletohen ligje e nene. Kishim juristë nga të gjithë universitetet.Kishte nga Universiteti i Tetovës, nga ai i Europës Juglindore , nga FON-i.Ekspertë me shumicë .Zgjidh e begenis.Filluan takime e diskutime. Këtë e inicoi kolegu im i zyrës. Mu bë zyra mejhane.Hyr Shaqir ,e dil Beqir.Mua ngaqë nuk jam juriste nuk më pranonin në diskutime.Si përfundim ligji thoshte,, Hapni sytë vetë se unë nuk kam ç’tju bëj,,.Pastaj shfletuam një ligj tjetër dhe sipas këtij…Një koleg nga UT ma sqaroi  këtë ligj me një shprehje nga Facebooku :   ,,Askush nuk mund të na vidhte pa lejen tonë,,. Mrekulli! Ky ligj jo vetëm që nuk na ndihmonte po na nxirte edhe fajtorë.Kishim qenë ne që kishim thënë ..,,Ej  Ju ejani dhe shkruani ne faturat tona sa të doni sms dhe impulse, ne jemi punonjës të administratës, ne nuk çajmë kokën për 5 denarët e mesazheve tuaja !,, Pas një kohe grupi i ekspertëve u shpërbë ndërsa mua për dreq mu kujtua ai mësimi i dikurshëm i ekonomisë që thoshte: ,,Blerësi duhet të ketë kujdes .Nuk duhet të blejë gjëra me këste . Nëse nuk ke para të blesh diçka kesh, ti nuk e përballon dot atë. Mëso të jetosh pa luks . Mjaft u dhamë para bankave.,,Ah sa mësim i bukur dhe sa keq që kishte mbetur në bankat e amfiteatrove të Ekonomikut.

Hyri pastruesja dhe pa më pyetur ma futi kufjen në vesh që ti tregoja nëse servisi e kishte rregulluar mirë celularin e saj. Nga të gjithë të punësuarit ajo ishte e para që doja t’ja tregoja mësimin e bukur të ekonomisë por nga kufja dëgjova këngën e Big Mamës…,,Me paret e mija gjalo on xhi du i blije ,,.Nuk i thashë asgjë.Kishte të drejtë të blente ç’të donte  me paratë e veta.Ndonjëherë njeriu ka nevojë edhe të hazdiset pak.Dola nga zyra. Në kokë më rrotulloheshin fjalët e këngës së Big Mamës:

,, Ndaç me pare, ndaç pa pare, vetes i bëj çarre,dhe ku rrafsha mos u vrafsha…..,,

Lajme të ngjashme

Back to top button