Blloku LVAN drejt shpërbërjes

Këmbëngulja e AAK-së që posti i kryeministrit t’i takoj liderit të kësaj partie, Ramush Haradinaj, dhe kërkesat e LDK-së që këtë post ta marrë lideri i tyre, Isa Mustafa, është bërë mollë sherri dhe duket se përfundimisht ka përçarë katër partitë e mbledhura në Bllokun VLAN.
AAK-ja me çdo kusht po insiston që posti i kryeministrit t’i takojë Haradinajt, ndërkaq në anën tjetër LDK pas jetësimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që kryeparlamentari ti takoj PDK-së, po ndjehet humbëse në Bllok, pasi që LDK është edhe partia më e madhe në Bllok.

Analistët politik thonë se për shkak të postit të kryeministrit edhe Blloku ka filluar të përçahet në njëfarë mënyre.

Artan Muhaxhiri, ka deklaruar për “Zëri”, se duke u bazuar në deklarata të përfaqësuesve të AAK-së dhe LDK-së, kjo shihet qartë që Blloku do të përçahet.

“Në bazë të deklaratave të përfaqësuesve të AAK-së dhe LDK-së nuk ka ndonjë mundësi që Blloku t’i mbijetoj kërkesave të tyre për kryeministër sepse, edhe LDK-ja edhe AAK-ja po e pretendojnë kryeministrin prandaj, nëse kryeministri është posti kryesor dhe nëse ka mospajtime për postin kryesor atëherë, nuk ka shumë gjasa për mbijetesë të Bllokut”, ka thënë Muhaxhiri, i cili shtoi se “deri tash ka qenë më ndryshe për shkak se postet kanë qenë të ndara mirëpo, pas vendimit që ta pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese atëherë tash kanë ndryshuar këtu krejtësisht rrethanat edhe nuk është e mundshme ndoshta edhe më që të qëndroj ky Bllok sepse, është paradoksale që Lidhja Demokratike e cila është partia më e madhe në Bllok me mbet pa asnjë post udhëheqës”, tha Muhaxhiri.

Ndërsa gazetari Berat Buzhala, thotë se Blloku më nuk ekziston pasi që, sipas tij, çdo ditë e më shumë po shihet një luftë speciale mes LDK-së dhe AAK-së. Buzhela më tej thotë se “bllokistët” më tepër po i mban bashkë ideja anti-PDK.

“Aktualisht Blloku nuk ekziston, së paku jo ai Blloku që ishte formuar fill pas zgjedhjeve. Aktualisht, ish Blloku, më shumë po funksionon si një aleancë kundër PDK-së, se sa si koalicion. Bllokun, ose ato takime që ju kanë mbetur, po vazhdon ti mbajë të gjallë premisa: Armiku i Armikut tim është Miku im. Pra bllokistët i mbanë bashkë ideja anti PDK, e jo që e ndajnë ndonjë vlerë me njëri tjetrin. E tash, edhe ai emocion, që ishte mjaft i fortë gjatë dhe pas zgjedhjeve, ka filluar të shuhet. Po shohim çdo ditë e më tepër një luftë speciale në mes të AAK-se dhe LDK-së. Kjo nuk është aspak premtuese për një partneritet afatgjatë”, ka deklaruar Buzhala për “Zëri”.

Ndërkaq analisti Xhemal Ahmeti ka thënë se në këtë pikë ku ka ardhur Blloku është Isa Mustafa ai i cili gjendet në një presion të shumëfishtë pasi që sipas tij, “nga njëra anë baza e LDK – së vlon duke e detyruar të kërkojë pozitat, të cilat partia sipas votës i „meriton“, pra atë të kryeministrit; ndërkombëtarët i bëjnë presion që ta ndryshojë marrëveshjen e parimeve për ta dobësuar rolin e LVV – së brenda bllokut; partitë e bllokut me të cilat ka bërë marrëveshjen, sidomos AAK demonstron kokëfortësi dhe nuk lëshon pé: o kryeministrin o nuk ka”.

Sipas Ahmetit Blloku është i paqëndrueshëm në këtë fazë dhe se nuk mund të ketë jetëgjatësi.

“Gjithë kjo situatë nuk prodhon shenja të një stabiliteti brenda bllokut. Për vendin edhe më hiç. Blloku kështu nuk mund të qëndrojë. Duket sikur ai e shtyn kështu ekzistencën me zor, gjë që i bën dëm Kosovës sepse i kushton për çdo ditë. Besoj se së shpejti do të ndodhin rikonfigurime që do ta historizojnë bllokun. Më mirë tash se sa pasi të bëhet një qeveri që nuk funksionon për shkak të rivaliteteve e mosmarrëveshjeve duke bllokuar vazhdimisht veten”, ka deklaruar Ahmeti për “Zëri-n”.

Edhe vetë këshilltari i parë i Ramush Haradinajt, Avni Arifi, para pak çastesh, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka lën të nënkuptohet se Blloku po përçahet. /Zëri/

Lajme të ngjashme

Back to top button