Rekomandimet e OSBE-ODHIR, çelësi i zgjedhjeve demokratike, opozita larg debatit

Ministria e Drejtësisë dhe partitë politike në vend do të hapin Kodin zgjedhorë për të gjetur formulën e mbajtjes së zgjedhjeve demokratike në vend, shkruan “Koha”.

Për të kënaqur kërkesat e opozitës, por edhe për ti implementuar vërejtjet dhe rekomandimet e faktorit ndërkombëtar, grupi punues për ndryshime në Kodin zgjedhor po bën disa përpjekje radhazi për të diskutuar rreth rregullave të reja me të cilat do të zhvillohen zgjedhjet e reja.

Një tentativë e tillë është bërë edhe të enjten kur me iniciativë të Ministrisë së Drejtësisë – është mbledhur grupi punues, por më pasi ai është shpërndarë pa filluar punën për shkak të bojkotit të LSDM-së dhe PDSH-së. Këta të fundit nuk kanë dërguar përfaqësuesin e tyre, ndërsa për mediat në vend jozyrtarisht kanë thënë se mbeten në qëndrimin e njëjtë që e kanë dhënë që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të 27 prillit.

“Nuk pranojmë zgjidhje parciale. Pa pranimin e kërkesës së parë, formimin e Qeverisë teknike – nuk mund të shqyrtohen katër kërkesat e tjera. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë vetëm për të gjitha pesë kërkesat dhe jo pjesërisht për ndonjërën prej tyre”, është qëndrimi i LSDM-së. Partia më e madhe në pushtet, VMRO-DPMNE, e ka shfrytëzuar mungesën e opozitës për të akuzuar këta të fundit për joseriozitet në qasjen e tyre ndaj kodit zgjedhorë.

“Kjo është një periudhë e mirë për mbylljen e kësaj çështje, sepse mund të bisedohet shtruar”, ka thënë Nikolla Todorov. Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, konfirmon për gazetën KOHA se të enjten ka pasur një tentim për të mbledhur grupin punues dhe se e njëjta ka dështuar për shkak të mosprezencës së dy partive opozitare. Jashari sqaron se përmbajtjen e ndryshimeve të reja nuk e di askush, pasi për këtë, thotë ai, do të vendosin vetë partitë politike.

Por, baza e ndryshimeve – shton më tej ministri Jashari, do të jenë rekomandimet e misionit të OSBE-ODIHR të dhëna pas përfundimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe presidenciale. Partitë, sipas tij, do të jenë ata që do të zgjedhin nëse do t’i pranojnë rekomandimet si të plota dhe në çfarë forme do të përpilohen ata, por zotohet se asnjë ndryshim nuk do të bëhet pa pëlqimin e të gjitha partive që participojnë në grupin punues.

Ekspertët thonë se kësaj radhe nuk duhet lejuar që të përsëritet situatë e njëjtë me ndryshimet e fundit. Profesori universitar Osman Kadriu thotë që rekomandimet e OSBEODIHR duhet të inkorporohen të plota në Kodin e ri zgjedhor dhe për to nuk duhen bërë kompromise politike.

“Fatkeqësisht, deri tani nuk është dënuar askush, asnjë funksionarë nuk ka bartur as përgjegjësi ligjore as përgjegjësi politike. Ndërkaq në zgjedhjet e fundit kemi pasur një sërë parregullsish dhe shkelje ligjore, ose të paktën dyshime për to. Kjo dëshmon se Kodi zgjedhor nuk i përmban ato elemente që kërkon OSBEODIHR”, shton më tej profesor Osman Kadriu.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button