Kënaqësi e madhe

Kafeneja, kafeneja, kafeneja… Kjo është bota jonë. Aty rrimë, aty „bëjmë“ analiza politike, aty e derdhim vrerin mbi partitë politike për të cilat votojmë, aty argëtohemi me barcoleta. Aty, pastaj, kërkojmë ndonjë vegëz që t’u afrohemi ministrave tonë të cilët i ka sjellë fati në kolltuk e ua ka dhënë kamxhikun e pushtetit për nja dy, tri ose katër vjet, para se të përfundojnë në greminën e harresës. Epo njerëz jemi, de. Nejse. Ku mbetëm. Hë, po. Puna e ndejave, e sërave, e miqësive ka mbaruar. Askush te askush nuk shkon. E gjithkush bën shtëpi të mëdha, me sallon të gjerë, të mobiluar për merak, me kopsht me lule. Njëmend pse i bëjmë këto shtëpi të mëdha?

Pranë tavolinës “me pedigre”, pranë dritares së kafenesë, është vendosur Beka. Nuk e di a Beqir e ka emrin e vërtetë, Besëmir apo Betim. Po Beqir duhet ta ketë… Mua më duket se më shumë i shkon ky emër. Beqir. E ka para vetes kafenë espreso dhe e thith llullën me tym e cila nuk ka nikotinë, por ta heq mallin e nikotinës, thonë. Aty pranë e ka paluar edhe gazetën, e cila bie në sy mbi çarçafin e kuq të tavolinës.

Beka gjithmonë vjen në kafene, para të gjithëve. E shfleton gazetën, por kafenë nuk e pi. Kafeja s’i pihet, po në kafene e ka adet ta mbajë një filxhan apo një gotë para vetes. Të duket se është zotni. Si Beqir Aga i këngës.

I ngarkuar me najlona, speca, domate, tranguj e kështu me radhë në kafene hyn Mili. Milaimi. I afrohet shankut dhe ia jep najlonat shankerit

“Hajt mirdita”, thotë Mili.

“Mirdita”, ia kthen Beka.

“A hala s’paskan ardh ato t’klubit tonë, a?” pyet Mili për shokët Litën, Loshin, Xhelën, Xhatin edhe Manin, me të cilët thuajse çdo ditë mblidhen në kafene e bëjnë muhabet. Ai pa e mbaruar pyetjen, Beka fillon të qeshë dhe bën me dorë kah dritarja duke treguar grupin si vijnë duke pirë duhan. Grupit i prin Xhati me setrën varur në kep të krahut të djathtë, ndërsa në atë të majtin i shkëlqen këmisha në dritë të diellit. Mili e kthen kokën dhe duke u ulur shton: “Erdhën, erdhën”…

“Ni espreso t’gjatë”, e kërkon Lita.

“Për mu ni t’shkurtë”, thotë Loshi.

“Fajtja ni raki rraushi”, ndërhyn duke buzëqeshur Loshi duke e fërkuar faqen. Ene Xhati e kërkon “nja t’rraushit”.

“Ene për mu”, shton Mani, po mos e harro ni sallatë shope”.

“Nuk ash shope, po  shqiptare, ej”… reagon Beka.

“Po, be, po ka met çashtau”…

“Çashtau tu na met neve fjalët, metëm ene na n’baltë me to”, thotë Beka duke iu drejtuar Litës

“Nejse, nejse… Po xhi ka, xhi s’ka”? ndërhyn Loshi i padurueshëm

“Kurrxha, be… I lexoj gazetat ene portalet sërbe e maqedone…”, thotë Lita.

“A hala mirresh me to”?

“Ej du ta di be se xhi mendojnë, du ta marr vesht kah ja manë ato. A me perëndim, a me araushën e Siberisë”?

“N’don ta marrësh vesht se kah ja manë ato, shko n’shpaj ene çile kompjuterin… E kije politikën ataj niçin e sa vjet ket t’skenaume. D’e shofësh ataj majr. Sërbët  nuk ndrrojnë, vlla. Si atëherë, si sot. Si krali, si Nikoliçi, çajo punë. Kanë votë e kanë thanë niherë d’i shkelim shqiptarët ene çaç. Asaj fjale i bojnë hizmet. Ato, or Litë, janë mcau t’bojn zhurmë para botës ene bota t’na e heke ka ni shpullë neve, çi t’rahatohen ato. Janë mcau me t’sajllme t’na e tunxhin krajet. Sa herë çi i çelim na sajt, ato na e apën ka ni t’shame. Masanej vajn shpulla. Niçin vjet shpulla! Na tahi kimi najs mos ta durojm shpullën, majrpo kjo punë i hallakatën mendsh ato”, përzihet n’muhabet Xhela. “A sa për arushën, ato duhet me i njek napër gazeta, se janë huta uni send”.

“Linja, be, ma kot muhabet, se m’ka lodhë”, hidhërohet Mili. Pastaj shton duke dashur ta ndërrojë rrjedhën e muhabetit: “Thkejnia krajet kah dritarja ene çllojni çfarë ngjirash na ka prau vjeshta.

“Lee be vjeshtën, ajo çat punë e ka!”, thotë Xhati. “Une deshta t’u pajs a mos ka donjani lidhje me drejtorin e asaj be…?”

“Çar drejtori, be?! Po kush e pajtën drejtorin… Xhi t’duhet drejtori taj”? e ndërpret Xhatin Mani.

“A be, gjali i kunatit tem e ka sos fakultetin çe dhajt vjet me nota t’nalta… E ka sos, ama punë s’ka, e thashë…”…

“O Xhat, a rron taj kini pari, a mos ije dokund kah Zelanda”? i përgjigjet Mani.

“Pse”?

“Po për punë, fraje pak xhepin ene shko te krietari i degës… Aj sosën punë, jo drejtora e çdrejtora”!

“O Man, trauku, se vajn Sula” !

“Cëlli Sulë, be”?

“Aj i ministrisë”!

Pastaj Sula afrohet me çibukun në gojë, me atë çibukun që qet tym pa nikotinë. Ndërkohë të gjithë heshtin. Ngjyra e fytyrave të tyre ndërrohet. Bëhet më gazmore. U vizatohet një grimasë e cila “flet” se i gjithë klubi i muhabetit po gëzohet që vjen Sula. Menjëherë, thuajse padiktueshëm, i bëjnë vend, ndërsa Sula krejt çallëm, pyet:

“A ka bojron, be burra”?

“Hajde, hajde Sulë, urdhno”!

Pastaj hapet tema e adhuruar: gratë, ato të lehtat, të ëmblat. Po nuk zgjat shumë. Është “sa për ta nxehur” Sulën. Pastaj e merr fjalën Sula.  Flet e flet. Dhe, sa lidhëza “dhe” ka në librat e shenjtë, aq përmendet sintagma partia jonë në fjalët e Sulës, sipas të cilës del se partia na e ka sjellë lumturinë parajsore. Dhe, se si ne nuk ka njerëz me fat meqë e kemi partinë e tij mbi kokë.

Epo kënaqësi e madhe.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button