Tubimi i Sheshel në Beograd: BE armiku ynë, populli serb s’e do (Video)

Vojisllav Sheshel, ish-zëvendëskryeministër i Serbisë, i cili përballet me akuza për krime lufte nga Tribunali i Hagës, udhëhoqi sot në Beograd një tubim kundër ish-aleatëve politikë, të cilët tani kryesojnë Qeverinë e Serbisë.

“Partitë radikale të forcohen dhe të konsolidohen që të vijnë në pushtet. Të fillojë puna që të bashkohen të gjithë patriotët serbe. Ne duhet të marrim një drejtim të qartë ose me Perëndimin ose me Lindjen. Perëndimi na bombardoi, Lindja vetëm e ka ndihmuar popullin serb. Populli serb nuk e do BE-në, se është armiku ynë. 28 nga 23 vende të BE e kanë njohur Kosovën” i tha Sheshel turmës.

Sipas tij “Serbia ka nevojë për një politikë të re ekonomike ndërsa qeveria akuale po e poshtëron Serbinë.”

Sheshel, themelues i Partisë Radikale Serbe, është kthyer në Beograd më 12 nëntor, pasi Gjykata e Kombeve të Bashkuara e ka liruar atë për shkaqe shëndetësore.

Ai ka thirrur protestën një ditë pasi është kthyer, duke kërkuar “mobilizim masiv të patriotëve serbë kundër qeverisë aktuale pro-perëndimore”.

Qeveria e Serbisë kryesohet tani nga presidenti Tomisllav Nikolliç dhe kryeministri Aleksandar Vuçiq.

Të dy ata kanë lënë Partinë e Sheshelit më 2008 dhe kanë formuar Partinë Përparimtare Serbe.

Sheshel akuzohet për krime lufte në Bosnje dhe Kroaci./ Oranews/

Lajme të ngjashme

Back to top button