Deri në fund të muajit, zgjidhje për personat e paregjistruar si të lindur

Problemi i mos-regjistrimit të një numri të madh të qytetarëve në librin amëz të lindjes vazhdon të mbetet pa zgjidhje. Grupi punues i formuar me kërkesë të Ministrit të Drejtësisë, pas publikimit të një sërë rastesh në Alsat para disa muajsh, ka mbajtur disa takime, por deri tani nuk ka dalë me propozim zgjidhje. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, deri në fund të këtij muaji do të propozojnë zgjidhje për këtë kategori qytetarësh.

“Në kuadër të këtij grupi punues janë mbajtur disa takime. Në takimin e fundit u propozua që deri në fund të nëntorit të dilet me një propozim për zgjidhje kolektive të këtij problemi, me qëllim që kjo kategori njerëzish të cilët nuk janë të regjistruar në librat amë tu gjendet një zgjidhje, qoftë kalimtare, qoftë e përhershme, me qëllim që të jenë të evidentuar si qytetarë që jetojnë në këtë vend”, deklaroi Milazim Mustafa, Këshilltar shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë.

Një ndër masat e mundshme mund të jetë lirimi nga shpenzimet për testin e ADN-së për vërtetimin e atësisë, që është kusht i domosdoshëm për regjistrimin e fëmijëve të lindur në kushte shtëpiake, në librat amëz të lindjes. Testi i ADN-së kushton rreth 600 euro dhe ngarkon sidomos familjet që kanë më shumë se 1 fëmijë të paregjistruar.

Lajme të ngjashme

Back to top button